Që nga fillimi i publikimit të bisedave të përgjuara Lëvizja BESA doli me platformën e saj RIDEFINIMI në të cilën kishte parapa disa pika për dalje nga kriza e cila e kishte përfshirë vendin, ku si pikë e rëndësishme ishte ngritja e një Prokurorie Speciale. Kështu deklaroi nënkryetarja e Lëvizjes BESA, Ermira Asani Salia, në emisionin INTERVISTA në TV Shenja.

“Kjo doli të jetë shumë e nevojshme në kohën kur u mbajtën bisedimet e Përzhinos dhe u miratua një Prokurori e tillë, mirëpo ne që atëherë si pikë të dytë e patëm theksuar që përskaj ngritjes së një Prokurorie Speciale Publike është shumë e nevojshme edhe ngritja e një Gjykate Speciale që t’i procedojë këto raste të ndjeshme të cilat do t’i ngrejë kjo Prokurori, për shkak se ne shumë mirë e dijmë që Gjykatat në Maqedoni janë nën kthetrat e pushtetit”, deklaroi Salia.

Sipas saj, është shumë e vështirë që në bisedimet që zhvillohen aktualisht në Përzhino, të ngrihet një pikë e tillë për ngritjen e një Gjykatë Speciale, pasi këto katër parti janë ato që e futën vendin në këtë krizë të thëllë politike. Ajo tha se në Maqedoni nuk dominon ligji.

“Ka një shtresë e politikanëve të ekzekutivit të cilët janë vënë mbi ligjin dhe për këtë është bërë të thuash e pabesueshme që do të ketë ndonjë institucion i cili do t’u dal përballë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë e sidomos shqiptarëve të cilët kanë qenë prejudikisht diskriminuar në këtë drejtësi selektive. Drejtësia në Maqedoni nuk funksionon”, tha Salia.

Ajo tha se edhe pse Lëvizja BESA është parti jashtëparlamentare, ka kërkuar me këmbëngulje që të jetë pjesë e bisedimeve në Përzhino, për shkak se parttë parlamentare shqiptare nuk e përfaqësojnë vullnetin politik shqiptar në ato bisedime.

“Ne e dimë se faktikisht jemi të papërfaqësuar në këto bisedime. Ato nuk e kanë më legjitimitetin që të përfaqesojnë popullin shqiptar, dhe kjo ka qenë arsyeja që ne gjithmonë kemi insistuar që të jemi pjesë aktive e këtyre bisedimeve”, deklaroi Salia.

Nëse Lëvizja BESA vjen në pushtet, Salia tha se do të insitojë që nëpër organet gjyqësore të ketë gjykatës të pavarur të cilët do ta kryejnë punën në mënyrë profesionale.