Shkruan: Bekim Tateshi

Etikë në politikë e jo politikë pa etikë.

Etikë duhet të ketë në çdo segment të veprimit të individit apo kolektivit në një shoqëri normale. Raportet ndërmjet moralit dhe politikës kanë shtyrë filozofët, mendimtarët politik, politikanët por edhe qytetarin e thjeshtë që të mendojnë dhe të analizojnë këtë problematikë që është e pranishme kudo në kohën që jetojmë. Vet ngjarjet që ndodhën vitin e kalur e sidomos afera e përgjimeve edhe më shumë tronditi besimin në terminin politikan dhe sprovoi parimet morale të politikanit dhe politikës në Maqedoni.
Ka shumë prej neve që mendojnë se nuk ka moral në politikë dhe se ajo është amorale dhe se duhet të jemi të depolitizuar, bile bile, ka një grup qytetarësh që kanë propaganduar dhe propagandojnë që të mos dilet në votime, të bojkotohen me arsye se kurgjë nuk do të ndryshojë. Qëllimi është që të dalë në sipërfaqe ideja e disa politikanëve që politikën e kuptuan dhe shfrytëzuan vetëm për të mira materiale për vete dhe rrethin e ngushtë duke harruar atë që premtuan. Mbasi u pozicionuan mirë e mirë filluan të propagandojnë se me politikë nuk duhet ngatërruar, se nga çeshmja e qeverisë nuk pihet ujë, doktorëve e profesorëve nuk ju duhet politika e krejt kjo me një qëllim të largohet intelektuali nga politika e të zhveshet nga roli kyq i intelektualit që të japë kontribut edhe në proçeset që i ndodhin popullit ku jeton dhe vepron.
Përkundrazi, politika dhe te merresh me politike është veprimtari fisnike dhe me politikë duhet të merren njerëz të mirë, të shkolluar dhe të dëshmuar në profesion, njerëz të moralshëm dhe praktik, njerëz me energji pozitive dhe human, njerëz që munden dhe dijnë të mendojnë për familjen dhe qytetarin.
Jemi dëshmitar që muajt e kaluar u paraqitën politikan të ri (jo me moshë, por me ide) që mendojnë se etikë dhe moral duhet të ketë edhe në politikë, e jo vetëm në shëndetësi e arsim, kulturë e ekonomi. Ky fenomen nuk është i rastësishëm dhe as i programuar nga dikush, por është një reaksion natyral dhe logjik, është femonen që duhet pranuar se çdo frenim i tij është jonatyral dhe mund të shkaktoj çrregullime sociale dhe të rendit shoqëror që do të ishte katastrofale për një shtet që ka ekonomi në këmbë prej qelqi.
Për moralin dhe politikën shumica mendojnë se nuk mund të shkojnë bashkë, se me krijimin e shteteve të reja në Ballkan politikanët moralin dhe politikën e relativizuan dhe politikën e shëndruan në gënjeshtër dhe mosbesim, ndërsa moralin në jomoral, duke e transferuar moralin në jetën privatë dhe në objektet fetare. Ndoshta do t’ju tingëlloj idealistike, por qëllimi jonë duhet të jetë zhvillimi i civilizimit, solidariteti dhe drejtësia. Dmth. qëllimi i etikës duhet të jetë që së bashku me të tjerët, me ato që mendojnë ndryshe të jetojmë në harmoni dhe paqë. Nëse mendojmë dhe kërkojmë zgjidhje së bashku mundemi edhe të jetojmë e të bashkëveprojmë.
Prandaj, detyra kryesore e jona është të bëjmë të pamundurën që në politikë të kthejmë moralin jo vetëm te politikani por edhe te partitë politike. Kështu do ta kemi më lehtë të veprojmë, të shpalosim idetë tona dhe të bashkëveprojmë edhepse nuk mendojmë njësoj dhe nuk i takojmë partive të njëjta politike.

tateshi