Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë ambasadori Samuel Zhbogar, sot do ta vizitojë komunën Konçe si pjesë e fushatës “BE për ty”, qëllimi i së cilës është ngritja e vetëdijes dhe informimi i opinionit për ndihmën nga BE-ja në vend.
Siç kumtuan nga Delegacioni i BE-së, ambasadori Zhbogar së bashku me përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së, Luiza Vinton, do të takohen me kryetarin e komunës, Bllagoj Iliev, ndërsa do ta vizitojnë edhe rrugën lokale në Konçe, e cila u rikonstruua në kuadër të Programit të BE-së për ripërtëritje pas përmbytjeve. Ky investim i BE-së në shumë prej 187.000 euro, theksohet, u ndihmoi banorëve të komunës të lidhen me qytetet dhe fshatrat përreth.
Ambasadori, gjithashtu, do ta vizitojë edhe projektin për zhvillimin e turizmit në komunën Konçe – “Mantovë”, i financuar nga BE në kuadër të Programit për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë. Qëllimi i projektit është të përmirësohet potenciali turistik përmes ruajtjes më të mirë dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të trashëgimisë natyrore dhe kulturore në rajon.
Kjo vizitë është pjesë e aktiviteteve për shënimin e Vitit evropian për trashëgimi kulturore 2018: https://europa.eu/cultural-heritage/about_en.