Peshëngritja Shqiptare mori tre medalje dje në Europianin e Kroacisë, një ari, një argjendi e një bronzi. Në fakt pritej më shumë nga shtangistët e përfaqësueses së Shqipërisë, sepse dje zbritën në pedanë sportistët më të mirë, duke nisur fillimisht me Romela Begajn që garoi në peshën 69 kg, e në darkë me Erkand Qerimajn e Daniel Godellin që garuan në peshën 77 kg. Begaj nuk u fut në zonën e medaljeve, kurse Godelli e Qerimaj nderuan kuqezinjtë, ku i pari fiton medalje ari në shkëputje, ndërsa shkodrani Qerimaj merr dy medalje, një argjendi në stilin e shtytjes dhe një medalje bronzi në dygarësh.

Gara

Daniel Godelli kishte deklaruar peshë hyrëse 156 kg në shkëputje. Por në garë e sipër ai hasi në rivalitet të theksuar për vendin e parë. E nisi garën me 156, por dështoi. Më pas në provën e dytë vuri në shtangë 158 kg, por sërish dështoi dhe u krijua përshtypja se ai ishte ngarkuar emocionalisht dhe nuk po dilte në garën e tij. por si për ironi, pikërisht në provën e fundit ai rriti kilogramët, duke e çuar shtangën në 161 kg në provën e tretë dhe ia doli me sukses duke fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes. Erkand Qerimaj nuk e ka stilin e vet të preferuar shkëputjen dhe rrjedhimisht nuk u fut në zonën e medaljeve në shkëputje. Shkodrani e nisi garën e tij me 155 kg, duke e realizuar me sukses. Por Qerimaj dështoi në provën e dytë dhe të tretë të ngrinte 158 kg, që do t’i jepte automatikisht medaljen e argjendtë. Në shkëputje Qerimaj zuri vendin e gjashtë. Në stilin e shtytjes dy sportistët tanë ishin sërish pretendentë. Qerimaj e nisi garën me 188 kg në provën e parë, por dështoi ta ngrinte lart. Më herët, Daniel Godelli kishte realizuar provën e parë me 186 kg me shumë sukses, duke mundësuar kështu edhe klasifikimin në dygarësh. Në provën e dytë Qerimaj vuri në shtangë 190 kg, por dështoi sërish ta ngrinte me sukses, gjë që solli një ngarkesë të madhe psikologjike për sportistin. Kur i mbetej dhe një provë në ndihmë vjen Godelli, që tenton në provën e dytë të tij 191 kg, por dështon. Godelli dështoi edhe në provën e tretë me 192 kg, duke e mbyllur stilin e shtytjes në vendin e 6-të. Por në garë mbetej ende Qerimaj, i cili ngriti në provën e fundit 193 kg, duke zënë vendin e dytë në këtë stil dhe me 348 kg në total zuri vendin e tretë edhe në dygarësh, duke marrë dy medalje, një argjendi e një bronzi, pra një në shtytje e një në dygarësh. Duhet thënë se medaljen e argjendtë në dygarësh Qerimaj e humbi për peshë trupore. Kurse Godelli me 347 kg në total u rendit në vendin e 4-t. Duhet thënë se garën në peshën 77 kg e fitoi rumuni Dumitri Captari, që ngriti 160 kg në shkëputje, 200 kg në shtytje dhe meritoi vendin e parë me 360 kg.

Romela Begaj vetëm vendi i pestë në Europian

Shtangistja Romela Begaj e mbylli Europianin e Kroacisë në vend të pestë në dygarësh. Begaj konkurroi në baterinë A të peshës trupore 69 kg, duke bërë një garë përgjithësisht të mirë, por larg pritshmërive të saj. Në të vërtetë, në vitet e mëparshme ajo ka garuar kryesisht në 58 dhe 63 kg dhe ka pasur këto rezultate. Në peshën 69 kg duhej të kishte teorikisht rezultat më të lartë. Por shtangistja jonë, pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti të futet në zonën e medaljeve. Ajo zuri vendin e katërt në shkëputje dhe vendin e gjashtë në shtytje, ndërsa në dygarësh përfundoi në vend të pestë. Në shkëputje ajo realizoi vetëm provën e parë me sukses, duke ngritur 98 kg, por më pas dështoi në dy prova rresht me 101 kg. Në këtë stil zuri vendin e katërt. Në shtytje e nisi me 121 kg, por dështoi në provën e parë. Të njëjtën peshë e ngriti në provën e dytë, por dështoi në provën e tretë me 125 kg. Në këtë stil përfundoi në vend të gjashtë. Me 219 kg në total, ajo u rendit në vend të pestë. Medaljen e artë në këtë peshë e mori rusja Romanova me 243 kg në total. Medaljen e argjendtë si vend i dytë e mori ukrainasja Khlyan me 225 kg dhe me të njëjtët kilogramë medaljen e bronzit e mori bjellorusia Mikhalenka.