Forumi Rinior i Lëvizjes BESA – Tetovë së përmes një aksioni simbolik ia ka rikujtuar kryetares së kësaj komune, Teuta Arifit, mospërmbushjen e premtimeve të saj elektorale.

Nëse dikur znj. Arifi zhvillonte fushatën elektorale duke i rrethuar gropat e hapura në rrugët e Komunës së Tetovës, sot, rinia e Lëvizjes BESA e ka ftuar që bashkërisht ta bëjnë të njëjtën gjë, për t’ia rikujtuar se pushteti në qeverisjen lokale u ndërrua, por gropat mbeten të njëjta. Megjithëse kanë shkuar deri në ndërtesën e Komunës së Tetovës dhe kanë kërkuar takim me kryetaren, Teuta Arifi, ajo ka refuzuar t’i takojë të rinjtë e Forumit Rinor të Lëvizjes BESA:

 

“Sot kemi ardhur që ta takojmë dhe, njëkohësisht, ta ftojmë kryetaren e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, që edhe ajo të na bashkëngjitet në aksionin për t’i vizituar rrugët e Tetovës dhe që së bashku t’i rrethojmë gropat e hapura, siç bënte dikur në fushatën e saj, kur pretendonte të jetë e para e kësaj Komune.

Meqë rrugët janë në gjendje të mjerë edhe pas zgjedhjes së saj si kryetare e Komunës së Tetovës, kërkojmë prej saj përgjigje se si edhe tani, kur ajo është në vitin e fundit të mandatit, infrastruktura rrugore është në gjendje kaq të mjerë dhe a është e vetëdijshme për vështirësitë me të cilat ballafaqohen banorët e Tetovës çdo ditë? Ka edhe plot rrugë të tjera, që janë madje të paasfaltuara, ndërsa mirëmbajtja e rrugëve është nën çdo nivel. Ne e kuptojmë znj. Arifi, se mund të jetë e zënë, sepse ka punë “më të rëndësishme”, por njëkohësisht ia rikujtojmë se ajo është në atë pozitë që taksat tona t’i shfrytëzojë për përmirësimin e cilësisë së jetesës sonë, e jo për të dhënë sqarime të kota për mospërmbushjen e premtimeve të saj. Ne ia dhuruam edhe një sprej për shënjimin dhe rrethimin e rrugëve, që kjo mbase t’i ndihmojë të kujtohet për të gjitha premtimet e papërmbushura të saj”, deklarata e F.R. BESA – Tetovë.