Portale pa emër, pa identitet, me misione mirë të caktuara, po atakojnë, gazetarë që lirshëm dhe pa komplekse shfaqin mendimin e tyre, shfaqin observimin e tyre mbi kombinatorikat politike dhe zgjedhore.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI
Pasi ndodhin gjithë intrigat, në korridoret e pabesisë, aty ku ka vetëm fantazma dhe shpata që ngulën tinëzisisht, ka një moment te kryevepra e Shekspirtit, një moment kur Hamleti klith: shfaqu. Ai e kërkon përballjen me fantazmat e munguara, me gjithë atë botë prej hiçi që vërdalliset dhe nuk shfaqet për njëqind arsye.
Ka një ngjashmëri mes kësaj situate dhe ambientit tonë politik dhe mediatik kohëve të fundit, sidomos gjatë këtij cikli zgjedhor. Portale pa emër, pa identitet, me misione mirë të caktuara, po atakojnë, gazetarë që lirshëm dhe pa komplekse shfaqin mendimin e tyre, shfaqin observimin e tyre mbi kombinatorikat politike dhe zgjedhore.
Po i atakojnë ata që janë në skenën publike me emër dhe mbiemër dhe me intepretimin e tyre autentik, pa u fshehur, duke zgjedhur rrugën e lirisë së mendimit dhe të pjesëmarrjes në debat pavarësisht nëse dikush tjetër mund të mos pajtohet dhe njësoj mund të shfaq argumente tjera.
Por, jo gjithsecili sferën publike, hapësirën e mendimit e kupton si debat, si përplasje idesh, argumentesh dhe vlerësimesh.
Ka nga ata që e kanë marrë në dorë “shpatën e demonizimit” dhe e tundin me yrishe, me logjikë njëmendësie dhe damkosjeje. Ata nuk shfaqen, por rrinë kruspull përpara ekraneve dhe gjuajnë mendimin publik, mendimin ndryshe, duke shpifur dhe duke ndërtuar storie demonizuese dhe asgjësuese.
Janë të paemër dhe të pafytyrë, janë copa terri që nuk dallohen, sepse lëvizin korridoreve si fantazma, duke ndjekur “viktimat” dhe duke sajuar histori perverse për egot e tyre.
Ashtu siç janë fantazma të mirëushqyera tabori, me çdo kusht kërkojnë që edhe të tjerët t’i zhvendosin në tabor, sepse mendojnë se kështu e kanë sosur misionin e tyre. Këtë rol kanë, të krijojnë tabore të paqena, të krijojnë iluzionin se edhe ky që shfaqet në skenën publike është njësoj si ata, si terri i tyre, si guva e pabesë e goditjes.
Dhe, mbërrijmë kështu te momenti i Hamletit. Shfaquni, sepse skena kërkon emër dhe mbiemër, jo adresa. Shfaquni, dhe lirshëm shprehni mendimin tuaj, qoftë ai edhe më i egri, sepse vetëm kështu bëheni pjesë e sferës publike, e normalitetit dhe jo e korridoreve fantazmogorike.
Sepse pavarësisht nga çdo kundërshti, nga çdo përplasje, njeriu ndjen përulje dhe konsideratë të pafundme kur përballë ka një emër, një fytyrë, një mendim ndryshe, sepse ai është i denjë për ballafaqim, i denjë për të qëndruar në hapësirën publike, në hapësirën e lirisë.
E kundërta është me ata që nuk shfaqen, që janë adresa, që janë e panjohur e frikshme demonizuese. Njeriu ndjen thellësisht neveri!