Lindon Selahi, është një nga talentet më premtues të skuadrës belge, Standard Liege. Mbrëmjen e së dielës ai shijoi trofeun e parë me ekipin e tij në finalen e Kupës, të cilën e fituan me rezultatin 1-0 në stadiumin “Mbreti Boduen”. Selahu (19 vjeç), edhe pse nuk luajti asnjë minute, festimin e fitores e bëri në mënyrë të veçantë, duke dëshmuar origjinën.

Familja “Selahi” është me prejardhje nga Kumanova e Maqedonisë. Gjyshërit e tij para 60 vitesh kanë emigruar në Turqi. Mirëpo, jeta në “tokën e premtuar” nuk iu kishte pëlqyer dhe pas 4-5 vitesh vendosin që të largohen. Janë shpërngulur në Namyr të Belgjikës, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Në Namyr ka lindur edhe babai i Lindonit. Edhe pse të lindur në këtë qytet, familja “Selahu” ka arritur të ruaj gjuhën dhe traditat shqiptare, një amanet i gjyshit të tij.

Lindon, na tregoni si ka nisur karriera juaj?
Me futboll kam nisur të merrem që nga mosha 7-vjeçare. Fillimisht në Namyr, pastaj kalova në akademitë e shkollave të futbollit të Standard Liege dhe Anderlecht. Pas dy vitesh u ktheva sërish në Standard, ku jam edhe sot. Kam luajtur për të gjitha ekipet zinxhirë të Standardit. Nga nëntori i vitit 2017 jam pjesë e ekipit të parë dhe tani po pres të debutoj në një ndeshje zyrtare në kampionatin belg.

Cili është pozicioni juaj në fushë?
Luaj si mesfushor.

Të dielën në mbrëmje, me Standardin, fituat kupën belge. Ju nuk luajtët, por festuat me flamur kombëtar…
Fitorja në kupë ishte objektiv i klubit, pasi tani kemi siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Europës. Unë nuk luajta, isha në pankinë dhe prisja rastin. U gëzova që fituam kupën. Isha mjaft i emocionuar. Është trofeu im i parë me Standardin. Pas përfundimit të ndeshjes mora flamurin kombëtar dhe festova në fushë. Ishte një mbrëmje e paharrueshme.

Meqë jeni të lindur në Belgjikë, a keni luajtur për grupmoshat e reja të Belgjikës?
Kam qenë pjesë e grumbullimit të fundit me Belgjikën U-19.
Po nga FSHF-ja keni pasur ndonjë kontakt?
Me Shqipërinë kemi pasur kontakte më herët, ndërsa muajt e fundit jo. Tani jam i koncentruar te Standardi.

Cilën kombëtare do ta kishit zgjedhur: Belgjikën, Maqedoninë apo Shqipërinë?
Unë kam vetëm shtetësi belge. Maqedonia nuk më intereson, por vetëm Shqipëria, ose Belgjika. Mirëpo, tani nuk mund të them asgjë, sepse nuk kam folur me trajnerin e ekipit U-21, as me trajnerin e kombëtares së Shqipërisë.

Lojtari yt i preferuar?
Modric dhe Kroos janë futbollistët e mi të preferuar. /telesport