Kosova rrezikon seriozisht t’i humbasë shumicën e yjeve, të cilët luajnë për shtetet tjera. UEFA ka zbuluar se FIFA pritet t’ua japë një mundësi të vogël atyre futbollistëve për të zgjedhur nëse duan të vazhdojnë me shtetet aktuale apo t’i bashkohen Kosovës. Kjo pasi yjet kosovarë me gjasë do të duhet të zgjedhin para se të shkojnë në Kampionatin Evropian e jo pas tij. Kjo i minimizon gjasat që ata të heqin dorë nga shtetet tjera dhe “Euro 2016” për t’iu bashkuar Kosovës.

Ëndrra e kosovarëve për t’i parë yjet më të mëdhenj duke luajtur për Kosovën rrezikon të prishet. Përfaqësuesja e Kosovës rrezikon t’i humbasë shumicën e yjeve, të cilët aktualisht luajnë për shtetet tjera.

Kjo pasi FIFA pritet t’ua japë një mundësi të vogël lojtarëve të lindur apo që kanë rrënjë nga vendi ynë për të zgjedhur nëse duan të vazhdojnë të luajnë me shtetet aktuale apo për anëtaren e re të UEFA-s e të FIFA-s, Kosovën.

Madje, edhe kjo mundësi e vogël do t’i vërë në një pozicion shumë të vështirë yjet kosovarë, sidomos ata të Zvicrës dhe Shqipërisë, të cilët e kanë siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian. Sipas të gjitha gjasave ata do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre para se të shkojnë në “Euro 2016” e jo pas këtij evenimenti, siç i konvenonte Kosovës, por edhe vetë lojtarëve.

Ndonëse këtë ende nuk e ka kumtuar zyrtarisht FIFA, një gjë të tillë e ka zbuluar këshilltari ligjor i UEFA-s, Alasdair Bell, në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Basel. “Ne kemi disa indikacione preliminare, por që nuk janë ende definitive. FIFA do të vendosë për gjithçka, hap pas hapi.

Propozimi i FIFA-s është se në rastin e Zvicrës, për shembull, në rast se lojtarët kosovarë vazhdojnë të luajnë me Zvicrën tash e tutje nuk do të mundë të luajnë më për Kosovën”, ka thënë Bell, i cili konsiderohej si hero i Kosovës në pranimin në UEFA, më 3 maj, përcjell “Zëri.info”.

Ai megjithatë nuk ka thënë se kjo është e sigurt 100 për qind, duke i lënë ende hapësirë të vogël mundësisë që yjet t’i bashkohen Përfaqësueses së Kosovës pas Evropianit, pasi logjikisht ata nuk mund ta sakrifikojnë “Euro 2016” për t’iu bashkuar menjëherë reprezentacionit verdhekaltër.

Gjithashtu, sekretari i UEFA-s, Theodore Thodoridis, është pyetur se si do t’i bëhet çare faktit se disa vende nuk e kanë njohur Kosovën, nëse ju bie të luajë me këtë të fundit. “Ka shumë vende që nuk e pranojnë Kosovën si shtet. Por ne e kemi një task-forcë, e cila do të vendosë se cilat janë ekipet që mund të luajnë me Kosovën”, ka thënë ai.

Bunjaki: Martesa me zor nuk është në dobi të askujt

Lajmi i së mërkurës nuk e shqetëson shumë përzgjedhësin e Kosovës, Albert Bunjaki, i cili beson ende se është e drejtë e çdokujt të vendosë se për kë dëshiron të luajë, pa ia vënë asnjë kusht. Ai beson se gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen.

“Për fatin tonë të mirë, sekretari gjeneral i FFK-së është jurist dhe gjendet në vendin e ngjarjes dhe jam i sigurt se do ta marrë informimin e duhur. Është me rëndësi që juridikisht të veprojmë në bazë të ligjit dhe mundësive që kemi, ngase sigurish se ka ‘miq’ që mezi presin të na dënojnë. Martesa me zor nuk është në dobi të askujt”, ka thënë Bunjaki për “Zërin”.

Yjet thirren edhe nga Kuvendi i Kosovës

Yjeve kosovarë, të cilët aktualisht luajnë për shtetet tjera, u është bërë thirrje edhe nga Kuvendi i Kosovës që t’i bashkohen Përfaqësueses kosovare, tani kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është bërë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Një gjë të tillë e ka bërë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i FFK-së.

“Atyre që luajnë në Kampionatin Evropian u uroj sukses, por pas kësaj duhet të kthehen në vendin e tyre. Nëse kanë dilema, të mendojnë se sa futbollistë dhanë jetën e tyre, ranë dëshmorë që Kosova të jetë e pavarur. U takon futbollistëve kosovarë, kudo që janë në botë, që flamurin e Kosovës ta valojnë për të hapur rrugën. Kosova ju thërret, Kosova ju pret”, ka thënë Haxhiu.