“Nga java e ardhshme do të fillojmë të përgatitemi për ditën kur jetët tona do t’i kthejmë në binarë normal. Kur do të vazhdoj procesi punës në çdo kompani, restorante, objekte të ndryshme. Dje njoftova se kemi filluar bisedimet me odat ekonomike me qëllim që të gjejmë një zgjidhje optimale rreth organizimit të punës”.

Këtë e deklaroi sot ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, në lidhje me atë se kur do të fillojnë të zbuten masat dhe të kthehet jeta normale.

Ai shtoi se kjo gjendje nuk do të zgjasë përgjithmonë, por sërish ju bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Para nesh është fundjava e cili do të jetë tërësisht e mbyllur, me ndalesa për lëvizje, prej sot në ora 16:00 deri të hënën në ora 05:00. Besoj se qytetarët e dinë domosdoshmërinë e këtyre masave. E di se është e vështirë të qëndrohet në shtëpi i mbyllur, posaçërisht tani kur koha është shumë e mirë. Kjo gjendje nuk do të jetë e përhershme dhe nuk do të zgjasë shumë, në rast se të gjithë u përmbahemi masave”.

“Dje njoftova se kemi filluar komunikimin me përfaqësuesit e odave ekonomike për të gjetur zgjidhje optimale për organizimin e punës së të gjitha organizatave dhe institucioneve, me qëllim që edhe pas heqjes së masave kufizuese të mos na ndodhë rritje e sërishme e të infektuarve ose një kulm të dytë. E them këtë sepse mendoj se secili prej nesh ka nevojë për optimizëm dhe mesazhe që premtojnë se e gjithë kjo një ditë do të përfundojë, këto masa serioze do të marrin fund, por vetëm së bashku të bashkuar dhe përgjegjës do ta mirëpresim atë ditë sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi Filipçe.

Ndryshe, siç ka njoftuar ai më herët, kulmi i epidemisë së Covid-19 në Maqedoni pritet deri në fund të muajit prill, ku deri atëherë pritet që numri i të infektuarve të arrijë deri në 2000-2500.

Ndërsa theksojmë se deri sot zyrtarisht janë regjistruar 711 persona me coronavirus, prej të cilëve 41 janë shëruar, kurse 32 kanë ndërruar jetë.