Kalimi i Ministrisë së Financave në duart e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është ndryshimi i vetëm më thelbësor, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike teksa komentojnë propozimet për riformatimin e Qeverisë.

Për ditën e mërkurë është caktuar seanca parlamentare, në të cilën pritet të votohet propozimi i pesë ministrave të rinj, emrat e të cilëve i bëri të ditur të dielën kryeministri Zaev.

Ndryshime do të ketë në Ministrinë e Ambientit Jetësor, ku pritet të zgjidhet ministër Naser Nuredini. Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale është propozuar Goran Milevski, ndërkaq për ta udhëhequr Ministrinë e Sistemit Politik është propozuar Sadulla Duraku.

Pas dorëheqjeve të dy ministrave, ndryshime do të ketë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ku është propozuar Trajan Dimovski, ndërkaq Ministrinë e Kulturës, Hisni Ismaili është propozuar që ta drejtojë atë.

Kryeministri Zaev ka theksuar se ai ka vendosur që ta udhëheqë Ministrinë e Financave, pasi siç është shprehur, ky vit do të jetë i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Por, për ekspertët ky veprim nuk shihet dhe aq me optimizëm sepse bëhet fjalë për një dikaster që kërkohet shumë punë dhe përkushtim, ndërkohë që posti i kryeministrit nuk e lë këtë hapësirë për t’u shpërndarë në dy pozita drejtuese.

Ekspertët thonë se Zaev me këtë veprim i siguron vetes një pozitë në Qeveri edhe në kuadër të Qeverisë teknike, e cila është paraparë me Marrëveshjen Përzhinës, e cila duhet të funksionojë 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, që duhet të realizohen vitin e ardhshëm.