Kombëtarja e Francës është plasuar pas 16 vjetësh në finale të kampionatit evropian të futbollit, pasi sonte ishte më e mirë se sa Gjermania duke e mposhtur me rezultat 2:0.

“Trekolorët” ishin më të mirë në të gjitha aspektet në takimin e dytë gjysmëfinal kundër “pancirëve” në “Velodrome” të Marsejës para 67 mijë shikuesve, derisa gjermanët edhe pse në pjesën e parë, por edhe në të dytën patën topin më shumë në posedim, 69 për qind, ata nuk arritën të konkretizojnë rastet e krijuara për të shënuar.

Francezët filluan furishëm takimin duke sulmuar portën e klasës botërore Neuer dhe Griezmann në minutën e gjashtë pat një rast fenomenal për të ardhur në epërsi, por goditja e tij u prit nga portieri gjerman.

Gjermanët për herë rrezikshëm në këtë pjesëtojë ishin në minutën 12 kur goditja e Muller përfundoi pranë portës. Tollovi pranë portës së franceze u krijua edhe dy minuta më vonë, kur sulmuesit gjermanë tentuan të shënojnë, por rreziku u evitua nga portieri Lloris.

Në minutën 20 gjermanët kërkuan penallti, pasi Kroos u rrëzua brenda zonës së rreptësisë, pas u ndalua nga dy futbollistë kundërshtarë, por arbitri italian Nicola Rizoli kërkoi vetëm vazhdimin e ndeshjes. Kimich ndërkaq dy minuta më vonë u bllokua kur një goditje e tij u drejtua drejt Loris.

“Pancirët” gjatë kësaj pjese të lojës patën kontrollin e lojës, duke rrezikuar portën kundërshtare, por pa mundur të gjejnë rrugën deri te goli aq shumë i pritur.

“Trekolorët” ndërkaq rrezikuan nga një gjuajtje dënimi në minutën 24, kur goditjen e rrezikshme të Payet nga distanca rreth 27 metra e ndali portieri Neuer.

Një goditje të Bastian Schweinsteiger në minutën 27 shumë lehtë ka mundur të përfundojë në rrjetën e Lloris, sikur portieri francez të mos tregonte aftësitë e tij të mira, duke dëbuar topin në korner, pas të cilit gjermanët nuk arritën të bëjnë asgjë. Francezët shpëtuan edhe në minutën 32 kur Muller, i cili ka dhjetë gola në 13 ndeshje të kampionateve botërore, nuk u gjet si duhet përballë portierit kundërshtar.

Francezët rrezikuan në minutën 37 kur Pogba tentoi nga gjuajtja e dënimit, por e pati të vështirë të mposhtë Neuer nga një distancë prej rreth 30 metrash. Griezmann në minutën 41 pati rast të mirë për të shënuar, por i mungoi preciziteti.

Një minutën më vonë francezët në një kundërsulm përmes Giroud patën rast të volitshëm për të shënuar, por ishte mbrojtja gjermane e cila intervenoi në momentet e fundit, duke mos lejuar sulmuesin e rrezikshëm të shënojë golin e avantazhit për “trekolorët”.

Rizoli në minutën 45 referoi një penallti për francezët, pasi Schweinsteiger luajti me dorë, ndërsa Griezmann shënoi edhe golin e tij të pestë në këtë kampionat, duke sjellë francezët në epërsi prej 1:0.

Francezët nisën në mënyrë të mrekullueshme edhe pjesën e dytë duke rrezikuar brenda pak minutash portën e Neuer, por sulmuesit e “trekolorëve”, Griezmann dhe Giroud nuk u treguan precizë.

Gjermanët nga ana e tyre intensifikuan sulmet drejt Loris gjithnjë në kërkim të barazimit, por mbrojtja franceze u tregua shumë e fortë, duke mos lejuar sulmuesit gjermanë të shënojnë gol, Hector në minutën 70 pati rast të shënojë, por goditja e tij përfundoi jashtë portës.

Në kundërsulm francezët shënuan edhe golin e dytë pas gabimit katastrofal të gjermanëve, dhe Griezmann shënoi golin e tij të gjashtë në këtë evropian, duke sjellë francezët në epërsi në 2:0. Pas golit të pësuar Mustafi qëlloi shtyllën për gjermanët, pa mundur kështu që të shënojë gol për të bërë kështu lojën më interesante në vazhdim të takimit.

Draxler në minutën 76 për pak sa nuk shënoi në portën e Lloris, duke mbetur shifrat e pandryshuara në terren. Rast të mirë për të shënuar pati edhe Shkodran Mustafi, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë, por goditja e tij përfundoi lart mbi portë. Gjermanët vazhduan presionin konstant drejt portës kundërshtare, por assesi fati nuk deshi që lojtarët gjermanë të arrijnë të shënojnë.

Në këtë mënyrë Gjermania përshëndetet nga kampionati i mëtejmë duke shuar ëndrrën se do të gjendej për herë të parë në finale që nga viti 1996. Kjo është hera e tretë radhazi që “pancirët” eliminohen në gjysmëfinale të kampionateve evropiane.

Fituesi i kësaj ndeshje do të luajë finale të dielën kundër Portugalisë, e cila mbrëmë ishte më e mirë se Uellsi me rezultat 2:0.