Maqedonia vazhdon të bie në indeksin e demokracisë së “Freedom House”, dhe madje është më pak demokratike sesa ka qenë në vitin 2001 kur kishte konflikt ushtarak. Në raportin për nivelin demokratik të vendeve në tranzicion, Freedom House ka theksuar skandalin e përgjimeve të paligjshme, faljet e presidentit, pengesat në punën e Prokurorisë Speciale, zgjedhjet, dorëheqjen e Gruevskit nga posti i kryeministrit, si disa prej arsyeve të krizës.

 

Rënie më të madhe, Maqedonia ka shënuar në lirinë e shprehjes ose të mediave, pasi që ka marrë vlerësimin 5.25, që nënkupton se Maqedonia ndodhet në grupin e shteteve me media të robëruara.

Por, ka ulje edhe në kategoritë e tjera duke përfshirë këtu qeverisjen demokratike në nivel shtetëror dhe lokal, procesin zgjedhor, pavarësinë e gjyqësorit me theks të veçantë punën e Prokurorisë Speciale.

Në raport theksohet se Qeverisja Demokratike në Maqedoni është përkeqësuar kur ka eskaluar kriza politike e nxitur nga faljet e presidentit, mungesa e dialogut politik dhe një sërë procesesh të tjera politike. Dhe prej notës  4,75 sa ka qenë në vitin 2016, niveli i qeverisjes demokratike në 2017 ka shkuar në 5,00 që paraqet indeks negativ.

Sa i përket lirisë së Procesit Zgjedhor, gjithashtu ka rënie. Nga 3,75 në vitin 2016, tani Maqedonia ka marrë notën 4,00. Ky është rezultat i parregullsive të shumta në proceset e fundit zgjedhore.

Pavarësia e gjyqësorit  nga 4,50 ka marrë notën  4,75 dhe kjo si pasojë e përzierjes së politikës në vendimet gjyqësore dhe për shkak të pengesave që i bëhen Prokurorisë Speciale për të hetuar krimin dhe korrupsionin.

Niveli i demokracisë së vendeve matet në shkallë pre 1 deri në 7, ku 1 është nota më pozitive respektivisht demokracia është në nivelin më të mirë të mundshëm, ndërsa 7 nota më negative.

Prej notës 5 e më lartë janë notat negative dhe bien në kategorinë e shteteve autoritare. Maqedonia me notën e sivjetshme mesatare prej 4.43 ka lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën. Në total prej vitit 2005 deri në vitin 2016, Maqedonia vazhdimisht ka shënuar ulje në nivelin e demokracisë.

Freedom House paralajmëron se nëse vazhdon të bie indeksi i demokracisë dhe kategorive të tjera në Maqedoni, vendi do të hyjë në grupin e shteteve autoritare respektivisht në grupin e ish republikave sovjetike si Kirgistani, Bjellorusia, Rusia, Azerbajxhani dhe disa të tjera.

 /SHENJA/

 

AlbPortali: