Parlamenti i Kosovës u mblodh në një seancë plenare, e cila ka në rend dite 21 pika. Por me të nisur punimet, forcat politike në opozitë hodhën gaz lotsjellës brenda sallës qendrore të Kuvendit.

Gazi lotsjellës shpërtheu ndërkohë që zoti Veseli përpiqej të lexonte një deklaratë për miratim, në ndërlidhje me vendimin e një gjykate të lartë në Serbi për dënimin e tetë eprorëve, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilëve janë edhe dy ligjvënës.

Deklarata u miratua me 79 vota për, me gjithë tymin e gazit lotsjellës që gjendej në sallë.

Para se të miratohej kjo deklaratë, lideri i Vetëvendosjes Visar Imeri përmes një fjalimi para deputetëve kërkoi dorëheqjen e qeverisë. Ai u zotua opozita së bashku me qytetarët nuk do të lejojë qeverisjen e vendit nga ky koalicion.

“Regjimi po përpiqet ta mbajë me dhunë pushtetin. Ka një lëvizje shoqërore e qytetarëve që kërkojnë largimin e kësaj qeverie, qindra qytetarë përmes një peticionit dhe protestave e kanë shpallur të vdekur Asociacionin e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi”, deklaroi Ymeri.

Ai më tutja tha se, qytetarët i kanë hequr maskën këtij regjimi, i cili po e dëmton sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Ky është fund i kësaj Qeverie. Populli tashmë ka vendosur se regjimi Mustafa-Thaçi nuk është më”, u shpreh ai.