Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kanë protestuar para qeverisë kundër kërcënimeve të fundit ndaj kryetarit të ShGM-së, Naser Selmanit, dhe gazetarëve në përgjithësi.
“Sulmi ndaj Naser Selmanit është sulm ndaj nesh. Për këtë arsye kërkojmë të sigurohet mbrojtje policore për Selmanin dhe kërkojmë nga Prokuroria Themelore të veprojë në bazë të detyrës zyrtare që ka dhe të ndërmarrë masa konkrete për rastin në fjalë”,- u shpreh Tamara Çaushidis nga SPGM.

“Nëse ne tani heshtim dhe nëse unë detyrohem të hesht, ta dini se nesër ju e keni radhën për t’iu heshtur. Për këtë arsye nuk pranojmë justifikime se në qeverinë aktuale ka persona të mirë dhe të këqij, aq më tepër nuk pranojmë që në Maqedoni të ketë dy qeveri. Kjo qeveri ka për detyrë t’i hesht sulmuesit”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Gazetarëve në protesta iu drejtua edhe ministri pa resor i obliguar për komunikim dhe transparencë, Robert Popovski, i cili dënoi ashpër sulmet ndaj gazetarëve në përgjithësi duke potencuar se qeveria po i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme kudër sulmeve pavarësisht nga kush vijnë.

“Nga ana jonë seriozisht po i qasemi këtij problemi, mirëpo njëherit u këshilloj që të gjitha pyetjet t’i drejtoni edhe në Prokurorinë Themelore Publike, ndërsa mediat në ndërkohë të bëjnë presionin e duhur në opinion që të përfundojë kjo çështje në bazë të ligjit”,- theksoi ministri për transparencë, Robert Popovski.

Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropian, Bujar Osmani, ka kërkuar nga institucionet përkatëse të ndërmarrin masa konkrete për këto raste. Ai gjithashtu shtoi se Qeveria me përkushtim po punon në drejtim të krijimit të kornizës ligjore për mediat, me qëllim që gazetarët ta kryejnë punën e tyre pa presione.

“Gazetarët kanë të drejtë të garantuar për të kryer detyrën e tyre lirshëm në kuadër të përgjegjësisë shoqërore që kanë ata, duke mos e keqpërdorur natyrisht këtë pozitë. Qeveria dhe partitë që bëjnë koalicionin janë absolutisht të vendosura për të garantuar të drejtën e lirisë së shprehjes dhe dënojmë çdo formë të ofendimit dhe kërcënimit apo pengimit të punës së tyre por gjithashtu ftojmë edhe gazetarët të bëjnë punën e tyre në kuadër të përgjegjësisë shoqërore që një profesion aq i shenjtë dhe i rëndësishëm e mbajnë me vete”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.

Gazetarët nga Qeveria kërkojnë përkushtim dhe angazhim më serioz jo vetëm në garantimin e lirisë së shprehjes, por dhe ruajtjes së integritetit të gazetarëve.