Hans-Dietrich Genscher, ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë Perëndimore, i cili ka luajtur një rol kyç në udhëheqjen drejt rënies së Murit të Berlinit, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Genscher ka shërbyer edhe si zëvendëskancelar i vendit në vitet 1982-1992, ndërkohë që ka ndërruar jetë për shkak të një problemi kardiovaskular mbrëmjen e së enjtes, sipas kompanisë së tij konsulente, në Bonn të Gjermanisë.

I lindur në qytetin e Gjermanisë Lindore, Reideburg, në vitin 1927, Genscher u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë e Willy Brandt në vitin 1969, ndërsa u bë ministër i Jashtëm 5 vite më vonë, në 1974-n, duke shërbyer edhe nën udhëheqjen e Helmut Schidt dhe Helmut Kohl.

Shprehja më e famshme e Genscherit është një fjali e papërfunduar: më 30 shtator të vitit 1989, ministri i Jashtëm u shfaq në ballkonin e Ambasadës së Gjermanisë Perëndimore në Pragë, për t’iu adresuar 4.500 gjermanolindorëve, të cilët kishin kërkuar azil atje. Ai u përpoq t’i thoshte turmës se ishte negociuar tashmë një marrëveshje, që do t’u lejonte atyre të kalonin për në Gjermaninë Perëndimore, por nuk arriti ta përfundonte njoftimin e tij për shkak se turma nisi menjëherë brohorimat.

Fjalimi mbahet mend si një prej ngjarjeve kryesore, që udhëhoqi mijëra gjermanolindorë drejt rikthimit në vendin e tyre, si dhe rënien e Murit të Berlinit më 9 nëntor të 1989-s.

Genscher, kreu i partisë së Lirë Demokratike nga 1974 deri në 1985-n, ishte gjithashtu një prej forcave udhëheqëse në njohjen prej Gjermanisë të pavarësisë së Kroacisë më 23 dhjetor 1991, 3 javë përpara se Bashkimi Europian të riniste marrëdhëniet diplomatike me vendin ballkanik. Kjo shkaktoi akuza të shumta ndaj tij, përfshi edhe nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Warren Christopher, se Gjermania ndihmoi në shkaktimin e luftrave të Ballkanit në vitet 1990.

Genscher këmbënguli se, njohja e pavarësisë së Kroacisë ishte “një vendim që solli paqen”, sepse e bëri konfliktin të zgjerohej në arenën ndërkombëtare. Shumë sheshe, rrugë dhe kafene në Kroaci janë emëruar me emrin e tij. Genscher pati një përkrahje të gjerë popullore përgjatë të gjithë karrierës së tij, por edhe pas tërheqjes nga politika në vitin 1992. Ai ka vizituar edhe Shqipërinë, veçanërisht qytetin e Elbasanit, sheshi qendror i të cilit mban emrin e tij.