Një sulm kibernetik gjashtëmujor kundër parlamentit të Gjermanisë në vitin 2015, ishte organizuar nga qeveria ruse, thuhet mes të tjerash në një raport të publikuar nga e përjavshmja gjermane Der Spiegel.

Revista ka njoftuar sot se autoritetet gjermane janë të sigurta se virusi Trojan kundër rrjetit kompjuterik të Bundestagut, në gjysmën e parë të vitit 2015, është kryer nga një grup i hakerëve të mbështetur nga qeveria ruse, të njohur si Sofacy dhe APT28.

Sulmi kibernetik e kishte ndërprerë për disa ditë rrjetin në faqen e parlamentit gjerman ndërsa i kishte komprometuar një numër të madh të të dhënave të qeverisë gjermane.

Një zyrtar i lartë i qeverisë gjermane i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka thënë revistës me bazë në Berlin, se është “e qartë” se sulmi ka lidhje me “shërbimin e intelegjencës së ushtrisë ruse”.

Ai tha se sulmi kishte pasuar një metodë të ngjashme të sulmeve tjera kibernetike kundër Gjermanisë dhe vendeve të tjera të NATO-s.