Gjermania nuk do ta ratifikojë marrëveshjen për pranimin e Serbisë në BE përderisa Kosova nuk bëhet anëtare fuqiplotë e Kombeve të Bashkuara.

“Kreut shtetëror serb që para dy vjetësh i është thënë se anëtarësimi i Kosovës në KB do të jetë njëri nga kushtet që Serbia të jetë e pranuar në BE”, ka thënë njëri nga deputetët e koalicionit ndërmjet Unionit të krishterë -demokrat dhe Unionit të krishterë socialist i cili ka dashur të mbetet anonim” shkruan sot gazeta “Danas” e Beogradit.

Sipas fjalëve të tij, ky qëndrim i Gjermanisë i është kumtuar Serbisë kur është folur për marrëveshjet e Brukselit ndërmjet Serbisë e Kosovës

“Atëherë kemi thënë se nuk do ta ratifikojmë anëtarësimin e Serbisë në BE nëse Serbia nuk pranon që Kosova të jetë anëtare fuqiplotë e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë burimi.

Deputeti i Bundestagut ka shtuar se çështja është ende e hapur: “Megjithatë kjo çështje është ende e hapur në partinë time pasi ka shumë mendime për të”.

Ai ka vlerësuar se “është koha që të fillohet me procesin e njohjes së anëtarësimit të të Kosovës në KB” si dhe “të binden njerëzit në partinë qeveritare, Partinë përparimtare, që të pranojnë këtë qëndrim” dhe që për këtë vendim ta “përgatisë opinionin në Serbi”.