Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, prej nesër deri të premten, tre herë duhet të paraqitet në Gjykatën Themelore Shkupi 1, dy herë në seancë për akuzat e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) dhe një herë në sportelin numër 5, ashtu siç është i obliguar me masat e kujdesit të Gjykatës së Apelit.

Ish kryeministri, Gruevski, do të hyjë në seancë për akuzë të re të PSP-së, ndërkaq duhet të paraqitet si i akuzuar edhe në vazhdimin e gjykimit për rastin e “Shuplakave” kundër ish kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.

Përveç Gruevskit, si të akuzuar janë të ftuar edhe ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski, por edhe kryeredaktori i televizionit të afërt me VMRO-DPMNE-në – “Sitel”, Dragan Pavloviq – Llatas.

Gjykimet për lëndët e PSP-së në javën e ardhshme do të fillojnë me lëndën “Total”, në të cilën i akuzuar për fshehje të tatimit Llatasi. Ky proces gjyqësor është caktuar për të martën.

Pas këtij, në seancë për akuzë të re, do të duhet të hyjnë, Gruevski, Janakieski, Peshevski dhe drejtori i Agjencisë së Rrugëve Shtetërore, Lupço Georgievski. Fillimi i gjykimit për lëndën “Trajektorja” është caktuar për të mërkurën

Pas kësaj, Gruevski përsëri duhet të paraqitet në seancë, për lëndën e “Shuplakave” në Komunën Qendër. Në të njëjtën ditë, gjegjësisht më 7 dhjetor duhet të vazhdojnë edhe gjykimi për “Total”.

Gruevski, javën do ta mbarojë me paraqitje në sportelin numër 5, ku duhet të paraqitet, në bazë të vendimit të Gjykatës së Apelit, për masë kujdesi. /Portalb/