Hakera rusë, disa prej tyre të akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane kanë sulmuar web-et qeveritare të Holandës, sipas një gazete holandeze, duke cituar ekspertë në fushën e sigurisë.

“Web-et e disa Ministrive si dhe të zyrës së kryeministrit janë shënjestruar nga disa sulme të hakerave kohët e fundit, përpara zgjedhjeve legjislative të 15 marsit”, deklaroi kreu i shërbimeve sekrete holandeze, Rob Bertholee në një intervistë të dhënë dje në televizionin NOS.

Rusia, Kina dhe Irani dyshohen se fshihen pas disa prej këtyre sulmeve, saktësoi ai, duke e konsideruar si një kërcënim për demokracinë e vendit.

Në mesin e tyre, sipas së përditshmes më të respektuar në vend “Volkskrant” që citon ekspertë, shfaqen kryesisht dy grupe, të njohur si APT29 dhe APT28, që kanë lidhje me qeverinë ruse dhe janë përcaktuar nga FBI dhe shërbimet amerikane të sigurisë së brendshmese se fshihen pas aktiviteteve të dëmshme kibernetike kundër web-eve të qeverisë amerikane.