Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen vetëm nëse vlerëson KSHZ-ja dhe OSBE/ODIHR. Kështu ka vlerësuar komisioneri për zgjerim Johanes Han pas takimit me zëvendëskryeministrin Fatmir Besimi dhe me organizatën “Miqtë e Maqedonisë” në Bruksel.

“Gjithçka varet nga rezultati i Institucioneve ndërkombëtare dhe i KSHZ-së, se si do ta vlerësojnë pjekurinë e përgatitjes së zgjedhjeve. Pastaj duhet të sjellin vendimin”, tha Johanes Han, Komisioner për zgjerim.

Nga ana tjetër lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, pas takimit me Raportuesit e Komisionit për respektimin e obligimeve dhe angazhimeve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës ka thënë se pa plotësimin e plotë të pikave të Përzhinës në Maqedoni nuk do të ketë zgjedhje me 24 Prill.

“24 Prilli tashmë shumë pak po përmendet si datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pasi kjo është e qartë, gjithsesi kjo nuk varet nga Gruevski, Zaevi, Ahmeti ose Thaçi. Parasëgjithash argumentet matëse janë në pjesën e KSHZ-së ku lehtë mund të numërohen ditët për kontrollimin e listës zgjedhore, nëse i pyesni ata deri ku kanë arritur me këtë, lehtë mund ta kuptoni, vallë mundet deri më 5 mars të pastrohet lista zgjedhore, dhe pastaj 40 ditë të jepet në ekspertizë publike, pastaj 10 ditë të mbyllet dhe të jepet për printim, këto janë afatet sipas ligjit të cilat bashkë i kemi miratuar, kështu që data 24 Prill është jashtë çdo opsioni të mundshëm që të organizohen zgjedhjet”, deklaroi Zoran Zaev – LSDM.

“Ka suksese, kemi Prokurori Speciale. E dyta është KSHZ-ja e cila po kryen punën e saj, edhe pse vendimet e këtij institucioni nuk do të pëlqehen nga të gjithë, ajo po kryen punën dhe kjo jep një sinjal se me mund dhe durim mund të kemi të paktën zgjedhje të përafërta me zgjedhje të drejta dhe të lira. Erdha këtu që të dëgjoj, pasi nuk e di nëse Han do të na thërret atje ose do të mbaj këtu takimin e liderëve. Por e di se kudo që të takohemi, i di qëndrimet tona, dhe jo vetëm tonat dhe të koalicionit por edhe të tjerëve”.

Komisioneri Johanes Han nuk bëri të ditur nëse takimi i radhës mes tij dhe katërshes nënshkruese të paktit të Përzhinës do të zhvillohet në Shkup ose në Bruksel, duke lënë enigmë edhe datën e takimit. Deri në fund të javës ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së Bejlli dhe ORAV duhet të japin vlerësimin e tyre se a janë plotësuar ose jo kushtet për zgjedhje me 24 prill.