Panairi i Librit në Tiranë që këtë vit mbërrin edicionin e tij të njëzet, hapet sot ndërsa organizatorët pohojnë për pjesëmarrje të botuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo dhe Mali i Zi.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, siç njofton Agjencia e lajmeve “Sot news”, tha se është panair i veçantë pasi është vit jubile.

“Edicioni i 20-të i Panairit të Librit të Tiranës. Madje këtë vit ne kemi dy jubile, njëri është 25 vjet nga krijimi i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë e krijuar në vitin 1992; dhe kemi 20 vjet panair të librit që nga viti 1998”, pohoi Ymeri në fjalën e tij.

Këtë vit sipas tij ka pjesëmarrje dhe angazhim të plotë nga të gjithë botuesit dhe operatorët që merren me librin në Shqipëri, por edhe në Kosovë, pak nga Maqedonia dhe Mal i Zi, dhe pak institucione të huaja.

“Pavarësisht nga situata jo fort e begatë, jo fort e shëndetshme që ka shoqëruar këtë periudhë në sektorin e librit, ku kemi rënie të numrit të titujve të botuar, por edhe rënie të tirazheve botuesit vërtetë janë mobilizuar për t’i shërbyer dhe për t’i kënaqur kërkesat dhe shijet e lexuesve, paraqitje sa më të mira të librit dhe të bëjmë politika promovuese për të tërhequr e ndihmuar leximin”, tha më tej kryetari i SHBSH.

Edicioni i 20 starton nesër për të vijuar deri më datë 19 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

Këtë vit Ministria e Kulturës e Shqipërisë, vijoi ai, i ka mbështetur me 1 milionë lekë të reja, por ndër problemet që janë me botimet, botuesit theksuan se qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë hap për të ulur tvsh për librin.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar nga ministria, qeveria u kemi shkruar letra për TVSH e librit, që është më e larta, 20 përqind ndërkohë që në Evropë më e larta është 4 – 6 përqind. Për ne është një TVSH absurde, sepse është 20 përqind”, cilësoi botuesi Petrit Ymeri, kryetar i SHBSH.