Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se taksa doganore 100 për qind e vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina do të mbetet në fuqi për aq kohë sa ai të jetë në postin e kryeministrit. “Shpresoj se më dëgjuat shumë mirë. Po e shihni se ku kam ardhur për ta thënë. Sa të jem unë kryetar qeverie, taksa nuk hiqet”, ka thënë Haradinaj gjatë një vizite që i bëri kompleksit memorial në Gllogjan. Kreu i qeverisë ishte këmbëngulës se taksa nuk duhet të hiqet pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Haradinaj ka thënë se duhet të ndalet kushtëzimet për Kosovën. “Nëse ne fillojmë të bëjmë hapa prapa, njëherë kërkohet të hiqet tarifa, nesër mund ta kërkojnë të hiqet Trepça, të hiqet Ushtria, të hiqet diçka tjetër”, ka thënë Haradinaj.