Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka mirëpritur letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmes së cilës ka kërkuar njohje reciproke mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e diplomacisë kosovare e vlerëson këtë si një arritje në pozicionin e palëkundur të Kosovës për përmbylljen e dialogut final me Serbinë me njohje të pakushte të pavarësisë së Kosovës, duke respektuar parimet e pandryshueshme për karakterin unitar, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.

“Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kam kërkuar në vazhdimësi rol aktiv e përcaktues të SHBA-ve në dialogun final me Serbinë. Vetëm me përfshirjen e SHBA-ve, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë“, ka thënë Ministrja Haradinaj-Stublla.

Sipas saj, pa rolin aktiv dhe përcaktues të SHBA-së si aktor kryesor dhe administratën e presidentit Biden, do të jetë vështirë të paramendohet një marrëveshje e qëndrueshme që garanton njohjen reciproke mes dy shteteve.