Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në një lidhje telefonike për emisionin Rrokum Roll, duke folur rreth protestës së nesërme të thirrur nga partitë opozitare, u shpreh i bindur se qeveria do të reflektojë me dorëheqje.

“Nesër Prishtina ka me dërguar porosi jo vetëm te qeveria por edhe te gjithë ata që janë të interesuar për Kosovën”, tha Haradinaj.

Haradinaj e përsëriti qëndrimin e tij se në protestën e nesërme do të kërkohet dorëheqja e qeverisë.

“Mendoj se nesër qytetarët kanë me marrë një vendim”, theksoi Haradinaj, duke u shprehur i bindur se qeveria nuk mundet pa reflektuar nga pjesëmarrja e popullit në protestë, e siç tha ai protesta e nesërme do t’ia kalojë asaj të 9 janarit për nga pjesëmarrja e popullit.

“Nuk frikohet arusha me shosh”, tha Haradinaj duke folur lidhur me lajmet e deklaratat se nesër ka me u përdor dhuna në protesta.

Ai këto lajme i quajti “lajme për ta frikësuar popullin”.

“Republika është e jona. Na duhet të bëhemi bashkë nesër në orën 14:00”, ishte mesazhi i Haradinajt.