Janë bërë rreth katër muaj që partitë opozitare janë duke i bojkotuar të gjitha zhvillimet brenda Kuvendit të Kosovës në kërkim të tërheqjes së marrëveshjes që Qeveria e Kosovës i ka arritur me Serbinë për Asociacionin e Komunave serbe dhe të asaj për demarkacionin me Malin e Zi, por edhe vet dorëheqjen e Qeverisë Mustafa.

 

Vetëm tash, partitë e pozitës po e shohin se ky bojkot është duke penguar procese të shumta. Për këtë arsye, këta të fundit u kanë bërë thirrje deputetëve të opozitës që marrin pjesë në mbledhje të Komisioneve parlamentare, në mënyrë që të vazhdojnë me punën që i pret ata.

Por, deputetja nga radhës e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimin për bojkot të komisioneve parlamentare e kanë marrë si opozitë e bashkuar shtatorin e vitit të kaluar, dhe nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë këtë vendim.

“Natyrisht që situata do të vazhdojë njësoj për shkak se nuk kanë ndryshuar rrethanat në vend, pra ende kemi në fuqi marrëveshjet e dëmshme për Republikën dhe territorin dhe ende e kemi në krye të qeverisë një kryeministër i cili i ka shkelur 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu thotë se arsyeja pse po i bojkotojnë komisionet parlamentare është për shkak të situatës në vend.

20_01_2016_989781_Haxhiu