Pamjet e gazit lotsjellës dhe bllokimit të seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, do të shfaqen edhe në sesionin e ri të punimeve të Kuvendit, që pritet të fillojë më 28 janar.

 

Paritë opozitare kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me veprimet e tyre të njëjta të kundërshtimit të punimeve të seancave.

Frashër Krasniqi, zëdhënës i partisë më të madhe opozitare Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për lajmi.net, se opozita nuk ka arsye që të ndryshojë veprimet.

Sipas tij, është Qeveria ajo e cila duhet të ndryshojë pasi, siç shprehet ai, tashmë ekzekutivi nuk ka as legjitimitet ta qeverisë vendin.

Sipas tij thirrja e seancave të Kuvendit pa tejkalimin e krizës politike është provokim.

“Subjektet opozitare nuk kanë kurrfarë arsye që të ndryshojnë veprimet e tyre. Është pushteti ai që duhet të ndryshojë tash pasi që nuk e ka më as mbështetjen qytetare dhe ka vepruar kundër Kushtetutës”.

“Opozita do të vazhdojë me veprimet e saj protestuese ngase vullneti i qytetarëve, i shprehur përmes peticioneve dhe protestave (sidomos asaj të 9 janarit) tregoi që ky pushtet nuk ka më legjitimitet”.

“Thirrja e çfarëdo seance të re pa u zgjidhur kriza aktuale politike, është provokim i mëtutjeshëm i situatës”, ka thënë Krasniqi.

Seanca e parë e Kuvendit për vitin 2016, siç është raportuar, do të mbahet me 28 janar. 

20_01_2016_4390761_Opozita