Albulenë Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, thotë se gjendja nuk ka ndryshuar sa i takon kërkesave të opozitës, dhe rrjedhimisht nuk ka as ndryshime në qëndrimet e tyre.

“Jemi para një situate ku një kryeministër ka shkelur rëndë Kushtetutën e Kosovës, dhe për këtë ai duhet të japë përgjegjësi, duke dhënë dorëheqje. Ne kemi thënë se seancat plenare nuk duhet të thirren, për shkak se nuk ka ndryshim të rrethanave, dhe po presim që Qeveria e Kosovës të reflektojë, konkretisht kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi”, ka thënë Haxhiu, për Radion Evropa e Lirë.

“Pra, nuk ka kuptim që ta durojmë një kryeministër i cili ka shkelur Kushtetutën, dhe Gjykata vet e ka konfirmuar që ka pasur shkelje, madje janë shkelur 23 nene”, shtoi më tej ai.

Kuvendi i Kosovës pritet që të procedojë me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës gjatë muajit shkurt. Këtë e ka konfirmuar vet kryetari i këtij institucioni, Kadri Veseli.

Ndërsa Haxhiu thotë se opozita nuk do të lejojë që zëvendëskryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi të bëhet president i Kosovës, nga legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës, pasi që, sipas saj, legjislaturës aktuale i ka humbur mandati. Ajo ka përmendur edhe arsye të tjera pse, sipas saj, Thaçi nuk e meriton postin e presidentit të Kosovës.

“Ne në vazhdimësi kemi thënë se nuk do të lejojmë zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Republikës së Kosovës, sepse i njëjti Kuvend nuk e ka legjitimitetin që ta zgjedh presidentin e Republikës së Kosovës. Një njeri si Hashim Thaçi nuk e meriton të jetë president i Kosovë, por i njëjti do të duhej të jepte përgjegjësi penale dhe politike për të gjitha dëmet që i ka sjellë Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

“Do t’i përdorim të gjitha mjetet e mundshme që i kemi në dispozicion për të parandaluar një dëm të madh që po tentojnë t’ia bëjnë këta njerëz Kosovës”, shtoi më tej ajo.