S’ka më bileta për Evropian – shqiptarët morën rreth 29 mijë të tilla

UEFA ka mbyllur sot (e hënë) përfundimisht procedurën e shitjeve të biletave për Kampionatin Evropian. Kualifikimi i parë në histori i Shqipërisë për në Francë 2016 ka sjell të njëjtin bum kërkesash si në çdo ndeshje të kohëve të fundit të përfaqësueses sonë.

Në total, për tre ndeshjet e para të skuadrës kuqezi, janë vënë në dispozicion 26.806 bileta ndërkohë që kërkesa e tifozëve shqiptarë në UEFA për këto tre ndeshje është më tepër se dyfishi, rreth 54.700.

Ndeshja e parë e Shqipërisë ndaj Zvicrës është ajo me numrin më të madh të kërkesave. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Lilës, “Pier Muro” me një kapacitet prej 50.000 vendesh dhe Shqipërisë për këtë ndeshje i takojnë vetëm 5814 bileta, ndërkohë që kërkesat janë mbi 4 herë, rreth 23.200 kërkesa.

I njëjti fluks ndodh edhe me 2 ndeshjet e tjera edhe pse propabiliteti i sigurimit të një bilete është më i madh, për shkak të kapaciteteve më të mëdhenj të stadiumeve të tjerë.

Ndeshja e dytë e Shqipërisë do të luhet në Marsejë me Francën. Stadiumi “Velodrom” ka një kapacitet prej 67.000 vendesh dhe si rrjedhojë në dispozicionin e tifozëve shqiptarë do të jenë 11.108 bileta, ndërkohë që numri i kërkesave ka shkuar në rreth 16.600.

Me 1.5 herë më shumë kërkesa është edhe ndeshja e fundit me Rumanine që do të luhet në Lion. “Stad de Lion” ka një kapacitet prej 59.000 vendesh dhe në dispoziconin tonë janë 9884 bileta, ndërkohë që kërkesat kanë shkuar në rreth 14.800.

Top Channel mëson se UEFA ka mbyllur edhe shortin e përzgjedhjes së përfituesve të biletave, por gjithsecili që ka aplikuar do të mësojë nëse e ka siguruar apo jo biletën vetëm në fundin e muajit shkurt. Përparësi nga Federata Shqiptare e Futbollit do të ketë Klubi i Tifozëve të Kombëtares i cili ka shkuar në rreth 1000 tifozë.