Nga Dr. Muaz Agushi-

Zgjedhjet e vitit 2011

Zgjedhjet e 5 qershorit të vitit 2011, ishin zgjedhjet e dyta të parkohshme parlamentare që nga pavarësimi i Maqedonisë dhe zgjedhje të dyta të këtilla të njëpasnjëshme. Në janar të vitit 2011 opozita në krye me Branko Cërvenkovskin braktisi Parlamentin për shkak të ngrirjes së llogarive bankare të televizionit dhe tri gazetave të biznesmenit Velija Ramkovski, ndërsa paraprakisht kërkoi edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakoshme parlamentare. Më 21 mars, partia më e madhe opozitare konstatoi se në përgjithësi kushtet të cilat i kishte parashtruar ishin përmbushur dhe vendosi të kthehej në Parlament. Ndërsa me 14 prill parlamenti miratoi shpërbërjen e tij dhe i shpalli zgjedhjet parlamentare të parakohshme më 5 qershor.

Në zgjedhjet e 2011 u rrit numri i njësive zgjedhore nga 6 në 9. Njëra në Evropë dhe Afrikë, njëra për Amerikën Veriore dhe Jugore dhe njëra për Australi dhe Azi, me çka u përfshinë edhe votuesit e diasporës. Për shkak të mundësimit të votimit për diasporën u bë një modifikim i vogël i modelit zgjedhor. Kështu, në 6 njësitë zgjedhore, në territorin e Maqedonisë kandidatët zgjidhen sipas modelit proporcional, ndërsa për tri njësitë e reja jashtë vendit u aplikua modeli mazhoritar. Me këto ndryshime u rrit numri i vendeve në Parlament nga 120 në 123, përkatësisht nga një deputet nga secila nga njësitë e reja zgjedhore. Shtetasit maqedonas, të cilët jetojnë jashtë vendit, votuan në përfaqësitë diplomatike konsullore. Jehona në këto zgjedhje ishte 63,39% nga gjithsej 1.821.122 votues të regjistruar diku 29,000 më shumë se në zgjedhjet presidenciale dhe vendore në vitin 2009. 7.213 persona ishin regjistruar për të votuar jashtë vendit; 4591 në njësinë zgjedhore 7 i cili mbulon Evropën dhe Afrikën, 1824 në njësinë e tetë zgjedhore e përfshinë Amerikën Veriore dhe Jugore, dhe 798 në njësinë e tetë zgjedhore e cila mbulon Australinë dhe Azinë.

Gjithsej, 1,679 kandidatë morën pjesë në këto zgjedhje, duke u ofruar kështu zgjedhësve një laramani opsionesh politike. Dy koalicionet e gjera, njëri i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe njëri nga LSDM, si dhe 16 parti politike paraqitën lista të kandidatëve dhe garuan në këto zgjedhje. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE përfshiu 22 parti dhe koalicioni i udhëhequr nga LSDM përfshiu 15 parti. Të dy koalicionet në radhët e tyre kishin edhe parti nga bashkësitë e vogla etnike.

Të gjitha partitë shqiptare dolën në zgjedhje vetë, duke përfshirë Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), Partin Demokratike Shqiptare (PDSh), Demokracia e Re (DR), Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH), Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK), Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe partia më e re shqiptare në atë kohë Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK).

Edhe në këto zgjedhje fitoi Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Koalicioni fitoi 56 mandate nga të cilat 47 i takuan VMRO-DPMNE-së. Nga partitë e Koalicionit: PSM fitoi – 3 deputetë, ndërsa LD, RDM, PAD, PDTM, PDS dhe VMRO-Maqedonase nga një deputet. Në vendin e dytë, sipas vendeve të fituara, ishte Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja me gjithsej 42 mandate. Prej tyre 29 për LSDM, PRSD – 4, PAE – 3, ndërsa nga një deputet fituan: PL, Lëvizja për Unitet Nacional të Turqve në Maqedoni (LUNT), PEPR, Partia Përparimtare Serbe e Maqedonisë (PPSM) dhe dy deputetë të pavarur. Në vendin e tretë sipas numri të mandateve në Kuvend ishte BDI me 14 deputetë. Depuetetët e BDI-së në njësin zgjedhore një ishin Izet Mexhiti dhe Suzana Saliu, ndërsa në njësin zgjedhore dy BDI fitoi tre mandate Ermira Memeti. Rexhail Ismaili dhe Hajrulla Misini. Arben Llabenishta dhe Vjollca Mehmeti ishin deputetët nga njësia zgjedhore pesë, ndërsa në njësin zgjedhore gjashtë BDI fitoi 8 mandate edhe atë Ali Ahmeti, Teuta Arifi, Talat Xhaferi, Behixhudin Shehabi, Xhevat Ademi, Dëshira Imeri, Irfan Deari dhe Nexhati Jakupi. PDSH fitoi gjithësej 8 mandate. Bekim Fazliu ishte deputeti fitues në njësin zgjedhore një, ndërsa Orhan Ibrahimi në njësin zgjedhore dy. Ziadin Sela ishte deputeti i vetëm i PDSH në njësin zgjedhore pesë, ndërsa në gjashtën PDSH fitoi pesë mandate, edhe atë Menduh Thaci, Arben Xhaferi, Meral Uzeiri Ferati, Imer Aliu dhe Gazmend Aliji. Lideri i RDK Rufi Osmani dhe Izet Zeqiri ishin deputetët e RDK në këto zgjedhje.

Pas zgjedhjeve, lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për herë të tretë e formoi Qeverinë në të cilën përsëri partner koalicioni, i cili i përfaqëson shqiptarët, ishte BDI e Ali Ahmetit. Vlerësim i përgjithshëm ishte se zgjedhjet u zhvilluan në atmosferë të qetë dhe të ndershme.

Zgjedhjet e vitit 2014

Me 27 prill 2014, u mbajtën zgjedhjet e teta parlamentare nga pavarësimi i Maqedonisë ndërsa të tretat me radhë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet u mbajtën bashkë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat u shpallën më 6 mars pasi që një ditë më parë, më 5 mars, deputetët unanimisht votuan për shpërndarjen e Kuvendit. Meqë të dy partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, nuk patën sukses të gjejnë zgjidhje të përbashkët lidhur me propozimin për “President konsensual” dhe meqë u bë e qartë se VMRO-DPMNE do ta propozoj Ivanovin për mandatin e dytë presidencial, grupi parlamentar i BDI-së më 1 mars formalisht paraqiti nismë në Kuvend për shpërndarjen e tij dhe për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Nga gjithsej 1 780 128 votues të regjistruar votuan 62,96 %. Kandidatët për deputetë, si edhe në ciklin paraprak zgjedhor, zgjidheshin në 6 njësi zgjedhore në territorin e Maqedonisë sipas modelit proporcional dhe në tri njësi jashtë vendit, sipas modelit mazhoritar. Deri në afatin e fundit lista të tyre me kandidatë paraqitën gjithsej 9 parti politike dhe 5 koalicione.

Partitë shqiptare edhe në këto zgjedhje garuan të ndara. Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje garoi në të gjitha njësit zgjedhore me lista të saja për deputetë. PDSH garoi në katër njësi zgjedhore, ndërsa RDK në dy dhe PPD garoi vetëm në njësin zgjedhore gjashtë.

Në këto zgjedhje përsëri fitoi koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, kësaj radhe me numër bindës të votave. Ky Koalicion fitoi 61 mandate, prej të cilëve 52 i fitoi VMRO-DPMNE. Nga partnerët e koalicionit, PSM fitoi 3 deputetë, ndërsa LD – 1, RDM -1, PADM (Partia e Aksionit Demokratik të Maqedonisë) – 1, PDTM -1, PDSM (Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë) – 1, LRM (Lidhja e Romëve të Maqedonisë) 1 deputet. Në vendin e dytë, sipas numrit të vendeve të fituara, ishte Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, me gjithsej 34 mandate. Prej tyre 27 i fitoi LSDM, PRSD – 3, PLD – 3 dhe PLT (Partia e Lëvizjes së Turqve) – 1. Gjithashtu edhe OPQM (Opsioni Qytetar për Maqedoninë) fitoi një deputet.

Tek blloku shqiptar BDI përsëri doli fitues me 19 mandate deputetësh. Ermira Memeti – Devaja, Rafiz Aliti dhe Zulfi Adili ishin deputetët fitues në njësin zgjedhore një, ndërsa Rexhail Ismaili, Shkodrane Darlishta, Mirvan Xhemaili dhe Artan Grubi një njësin zgjedhore dy. Musa Xhaferi Ramiz Merko dhe Vjollca Mehmeti – Nuredini ishin deputetët e BDI në njësin zgjedhore pesë, ndërsa në njësin zgjedhore gjashtë BDI udhëhequr nga liderii i saj fitoi 9 mandate edhe atë Ali Ahmeti, Hazbi Lika, Shpresa Hadri, Talat Xhaferi, Xhevat Ademi, Selvije Saliu, Ejup Rustemi, Jamin Sinani dhe Nora Aliti. Partia Demokratike Shqiptare në këto zgjedhje fitoi 7 deputetë. Bekim Fazliu në njësin zgjedhore një dhe Orhan Ibrahimi në njësin zgjedhore dy ishin deputetët fitues të PDSH. Menduh Thaci, Ernard Fejzullai, Meral Uzeiri – Ferati, Imer Aliju, Gazmend Aliji ishin deputetët e PDSH në njësin zgjedhore gjashtë. Rufi Osmani ishte deputeti i vetëm i RDK.

Pas zgjedhjeve, lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për të katërtën herë formoi Qeveri në të cilën përsëri si partner i koalicionit i cili i përfaqëson shqiptarët hyri BDI. Menjëherë, pas mbylljes së vendvotimeve, më 27 prill të vitit 2014, para fillimit të numërimit të votave, lideri i LSDM, Zoran Zaev, publikoi se opozita e bashkuar nuk do t’i njoh rezultatet e zgjedhjeve dhe se kërkojnë të formohet Qeveri teknike, e cila do të organizojë zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare. Gjithashtu edhe partitë opozitare shqiptare kontestuanë rezultatet. Lideri i PDSH, Menduh Thaçi në një konferencë për medie tha se ai një pjesë të zgjedhjeve parlamentare nuk do t’i pranojë, sepse ato janë vota të vjedhura. Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare bëri të ditur se nuk njeh zgjedhjet dhe se për të votimet e së dielës janë të papranueshme.

Zgjedhjet e vitit 2016

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ishin zgjedhjet e nënta parlamentare që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që i bëri zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare deri më sot.

Këtyre zgjedhjeve u parapriu një periudhë turbulente dhe dinamike përplot me kthesa, ngjarje dhe tensione politike. Opozita pretendonte se zgjedhjet në vitin 2014 ishin të manipuluara dhe vendosi që përkohësisht të bojkotojë parlamentin. Kriza u thellua në shkurt të vitit 2015 me “skandalin e përgjimeve” kur u publikuan përgjimet inkriminuese në të cilat supozohet se zyrtarë publik dhe qeveritarë janë të përfshirë në korrupsion, manipulim zgjedhor, keqpërdorim të detyrës dhe përgjim të paligjshëm, që çoi në protesta të qëndrueshme dhe të gjëra. Më 2 qershor, si pjesë e Marrëveshjes në Përzhino, fillimisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare u caktuan për në 24 prill 2016. Zgjedhjet pastaj u zhvendosën për në 5 qershor me arsye se kushtet kryesore nuk ishin të plotësuara, siç ishin pastrimi i Listës së votuesve, reformat në media dhe masat mbrojtëse për ndarjen e shtetit nga aktivitetet partiake. Para zgjedhjeve opozita paralajmëroi bojkotimin e tyre dhe prej katër nënshkruesve të marrëveshjes në Përzhino, vetëm VMRO-DPMNE dorëzoi listën e kandidatëve. Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese shpalli shpërbërjen e parlamentit si antikushtetues dhe zgjedhjet e 5 qershorit u anuluan. Më 20 korrik, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, katër partitë kryesore arritën një marrëveshje të re. Më 31 gusht, katër partitë deklaruan se kushtet për “zgjedhje të besueshme” janë plotësuar dhe zgjedhjet u caktuan për 11 dhjetor. Më 17 tetor, pas dy viteve krizë politike, parlamenti u shpërbë për here të dytë në këtë vit.

Në këto zgjedhje pjesëmarrja ishte e lartë. Nga 1.784 416 votues të regjistruar, kanë votuar 66.79%, që është pjesëmarrja më e lartë në katër zgjedhjet e fundit parlamentare nga viti 2006. Këto zgjedhje, u zhvilluan sipas modelit zgjedhor proporcional të përfaqësimit dhe përdorimit të listave të mbyllura, ku njëzet deputetë zgjidhen nga secila prej gjashtë njësive zgjedhore në vend dhe deri në tre deputetë prej një njësie zgjedhore jashtë vendit, që përfshinë vendet e Evropës, Afrikës, Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut, Australisë dhe Azisë. Deri në fund të afatit ligjor 11 nëntor, KSHZ-ja regjistroi 6 parti politike dhe 5 koalicione me gjithsej 1,092 kandidatë në 58 lista në njësitë zgjedhore 1,2,3,4,5 dhe 6, ndërsa në njësin zgjedhore 7 u paraqitën katër lista me gjithësej 12 kandidatë.

Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja BESA, Partia për Prosperitet Demokratik si dhe Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët” pjesë e së cilës ishin Rilindja Demokratike Kombëtare, LR-PDSH dhe Uniteti, ishin partitë shqiptare që garuan në këto zgjedhje.

Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi numër më të madh të mandateve – 51 ose 38,14% nga numri i përgjithshëm i votave. Menjëherë pas tyre, me një dallim prej vetëm 2 mandateve, pason Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, i cili në këto zgjedhje fitoi 49 mandate e që është 36,66% nga numri i përgjithshëm i votave. Në vend të tretë, sipas numrit të mandateve të fituara ishte BDI me 7,28 % të votave të fituara, e që siguroi 10 vende të deputetëve në Kuvend. Artan Grubi ishte deputeti i vetëm i BDI në njësin zgjedhore një, ndërsa në njësin zgjedhore dy ishin Ejup Alimi dhe Rexhail Ismaili. Agim Shaqiri ishte deputeti i vetëm i BDI në njësin zgjedhore pesë. Ali Ahmeti, Talat Xhaferi, Shpresa Hadri, Branko Manoilovski, Xehvad Ademi dhe Mirsada Asani – Emini ishin deputetët fitues në njësin zgjedhore gjashtë. Lëvizja BESA dhe Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”, të cilat për herë të parë morën pjesë në zgjedhje parlamentare, arritën rezultate solide, Lëvizja BESA fitoi 5 mandate ose 4,86% të votave. Zeqirija Ibrahimi në njësin zgjedhore një dhe Afrim Gashi në njësin zgjedhore dy ishin deputetët fitues të lëvizjes BESA, ndërsa Bilall Kasami, Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli ishin deputetët e Levizjes BESA në njësin zgjedhore gjashtë. Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët” fitoi 3 mandate ose 2,95% nga numri i përgjithshëm i votave. Syrija Rashidi në njësin zgjedhore pesë, ndërsa Zijadin Sela dhe Vesel Memedi në njësin zgjedhore gjashtë ishin deputetët e këtij koalicioni. PDSH në këto zgjedhje arriti rezultat shumë më të dobët dhe fitoi vetëm 2 mandate të deputetëve, e që është 2,60% nga numri i përgjithshëm i votave. Deputetët e kësaj partie ishin Menduh Thaci dhe Bardhyl Dauti. Partitë dhe koalicionet e tjera të cilat morën pjesë në këto zgjedhje nuk fituan numër të mjaftueshëm të votave që të sigurojnë vende të deputetëve. Në legjislaturën e re të Kuvendit nuk kishte asnjë deputet nga diaspora meqë asnjë parti/koalicion nuk e fitoi numrin e nevojshëm të votave.

Menjëherë pas zgjedhjeve pati bisedime intensive midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, dhe më vonë midis LSDM-së dhe BDI-së. Negociatat rezultuan në një marrëveshje koalicioni midis LSDM-së dhe BDI-së, por presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov nuk pranoi t’ia dorëzojë mandatin liderit të LSDM-së Zoran Zaev, duke e akuzuar atë për “shkatërrim të sovranitetit të shtetit” duke pranuar të ashtuquajturën Platforma Shqiptare. Pas trazirave politike që përfshinin një hyrje të dhunshme në Parlament më 27 prill, më 17 maj 2017, Ivanov i dha mandatin Zoran Zaevit pasi kreu i LSDM-së dhe mandatari i ardhshëm i qeverisë siguroi garanci me shkrim për “mbrojtjen e unitaritetit, pavarësisë, mbrojtjes së rendit kushtetues dhe tërësisë territoriale dhe mbrojtjen e interesave shtetërore “. Më 31 maj 2017, Kuvendi me 62 vota pro, 44 kundër dhe 5 abstenime, miratoi qeverinë e re të LSDM, pjesë e së cilës ishin edhe partitë shqiptare BDI, RDK dhe ASH.

Zgjedhjet e vitit 2020

Zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut 2020 janë zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e që janë zgjedhjet e pesta të parakohshme parlamentare deri më sot. Deputetët zgjidhen sipas modelit zgjedhor proporcional me lista të mbyllura të deputetëve, me ç’rast në secilën nga gjashtë njësitë zgjedhore, sipas të cilave është bërë ndarja e territorit të shtetit, zgjidhen nga 20 deputetë. Me ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor të shkurtit 2020 u bë ristrukturimi i njësive zgjedhore, ku dy komuna (Dibër dhe Mavrovo-Rostushë) kanë kaluar nga njësia zgjedhore e gjashtë në atë të pestë. Në njësin zgjedhore 7 për diasporën, në këto zgjedhje nuk do të votohet, pasiqë numri i kërkesave të pranuara është më i ulët se numri i votave me të cilat është zgjedhur një Anëtar i Parlamentit që nga zgjedhjet e vitit 2016. Qytetarët do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës nëse votojnë në qendrat e votimit në RMV. Në këto zgjedhje 1.814.263 qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë të votojnë për 15 subjekte politike, pra 12 parti politike dhe tre koalicione.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), garon në pesë njësi zgjedhore. Bartësit e listave të kandidatëve nga PDSH janë: NJZ 1 – Nimetulla Demiri, NJZ 2 – Оrhan Ibraimi, NJZ 3 – Sami Rushidi, NJZ 5 – Vasfi Doko dhe NJZ 6 – Menduh Thaçi.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), do të garon në të gjitha njësit zgjedhore. Bartësit e listave të kandidatëve nga BDI janë: NJZ 1 – Izet Mexhiti, NJZ 2 – Arbër Ademi, NJZ 3 – Bekim Neziri, NJZ 4 – Sead Zeinel, NJZ 5 – Talat Xhafer dhe NJZ 6 – Ali Ahmeti.

Edhe Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të garojë në të gjitha njësit zgjedhore. Bartësit e listave të kandidatëve të koalicionit ASH- Alternativa janë: NJZ 1 – Skender Rexhepi, NJZ 2 – Afrim Gashi, NJZ 3 – Bekim Tateshi, NJZ 4 – Fatmir Mexhiti, NJZ 5 – Syrija Rushidi dhe NJZ 6 – Zijadin Sela.

Koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe Lëvizja BESA “Mundemi”, gjithashtu do të garojë në gjashtë njësi zgjedhore. Bartësit e listave të kandidatëve të koalicionit “Mundemi” janë: NJZ 1 – Nikolla Dimitrov, NJZ 2 – Oliver Spasovski, NJZ 3 – Ljupço Nikolovski, NJZ 4 – Zoran Zaev, NJZ 5 – Radmila Shekerinska dhe NJZ 6 – Bilall Kasami.

Në këto zgjedhje, Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, do të kandidojë me listat e veta të kandidatëve në të gjashtë njësit zgjedhore. Bartësit e listave të kandidatëve të koalicionit “Rindërtimi i Maqedonisë” janë: NJZ 1 – Gordana Siljanovska-Davkova, NJZ 2 – Vllado Misajlovski, NJZ 3 – Igor Janushev, NJZ 4 – Aleksandar Nikoloski, NJZ 5 – Igor Durlovski dhe NJZ 6 – Dafina Stojanoska.

Partitë tjera që marrinë pjesë në këto zgjedhje janë: Partia politike Demokratët, Partia politike Levica (E majta), Partia Politike Vota për Maqedoninë, Unioni Qytetar Demokratik – GDU, INTEGRA – Partia Konzervatore Maqedonase, Unioni Socialdemokrat, Maqedonia e Vetme (Edinstvena Makedonija), МORO – Рartia e Punëtorëve, Partia Popullore e Romëve dhe Тvoja Partija (Partia yte) III (Fund)