Presidenti i Francës, Fransua Hollande, ka paralajmëruar se Britania do të duhet të paguajë një çmim pas daljes nga Bashkimi Evropian.

Ai nënvizoi se asnjë vend që kërkon të largohet nga BE-ja, nuk mund të përfitojë nga lehtësitë ekonomike që ofron blloku.

Sipas tij, unioni duhet të tregojë qëndrim ndaj Britanisë, pasi në negociata, tha Hollande, Londra do të kërkojë që të ruajë marrëveshje që janë me përfitim për vendin dhe në të njëjtën kohë të mos i bindet rregullave dhe legjislacionit të bllokut evropian.

“Britania ka vendosur që të largohet nga unioni, dhe dëshiron që për të bërë diçka të tillë të mos paguajë. Megjithatë, më duhet të them se kjo është diçka e pamundur. Britania vendosi që të dalë nga unioni dhe unë besoj se kjo dalje duhet të jetë e vështirë për ta. Duhet të jemi të vendosur dhe të shfaqim qëndrim në negociata, pasi nëse nuk bëjmë diçka të tillë, do të vendosim në dyshim vlerat dhe principet kryesore të BE-së”, u shpreh presidenti francez.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e ka pranuar se në negociata Londra do të mundohet të ruajë marrëveshjet që janë në të mirë të vendit.

Megjithatë, zyrtarët e Brukselit, përfshirë Presidentin e Komisionit Junker si dhe Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk, e kanë bërë të qartë se Britania nuk do të mund të përfitojë nga akordet tregtare pas daljes.

Në këto kushte qeveria britanike do të duhet që të arrijë marrëveshje të tjera ekonomike me vende që s’janë pjesë e bllokut.

Ende nuk dihet se kur do të nisin zyrtarisht negociatat e daljes, por Kryeministrja Theresa May, ka deklaruar se neni 50 i Traktatit të Lisbonës do të aktivizohet brenda muajit Maj të vitit 2017.

Bisedimet për të përcaktuar marrëdhëniet që do të ruajnë BE-ja dhe Britania mund të zgjasin deri në dy vite.

/Ora News/