albrim hoxhaOpinion nga Albrim Hoxha

 

Është një ish ministër dhe zëdhënës partie me mbi një dekadë pjesë e pushtetit, një tip shumë llafazan, por më e rëndësishmja, gënjeshtar i madh, gjakftohtë, nuk skuqet fare kur gënjen. E në fakt kjo çështja e gënjeshtarit ndoshta mund të shpjegohet edhe ndryshe. Atë e ka punë. Nga këto “gënjeshtra “ merr rrogë. Gënjeshtrat e tij, në fakt kanë qëllim shumë fisnik për kryetarin dhe kompaninë e tij. Gënjeshtrat e tij e mbulojnë të keqen, pisllëqet dhe gjitha ligësitë që kryetari, kompania dhe partia e tij ua bëjnë tash e mbi 12 vite një populli të tërë. Nuk jam filozof, as psikolog që të mund të bëj një zbërthim të detajuar të personalitetit të tij, por ajo që e shoh (jo vetëm unë) dhe e dalloj qartë, është se kjo qenie e lëvizshme, llafazane, gënjeshtare, punën e gënjeshtarit e bën me pasion. Ai aq shumë gënjen, sa që ka filluar dhe iu beson gënjeshtrave të veta. Kjo qenie e gjallë e llafazane, në të njëjtën kohë që po gënjen një popull të tërë, harron se gënjen edhe familjen e tij, fëmijët e tij. Populli që për vite me radhë e ka votuar dhe është mashtruar e gënjyer, nuk do ti besojë më gënjeshtrave të tij. Njëjtë siç një ditë fëmijët e tij do të kërkojnë llogari nga ai si njëri ndër aktorët e këtij filmi të shëmtuar politik. Shqiptarët kanë duruar shumë. Kanë duruar aq shumë sa që kupa është mbushur dhe ka filluar të derdhet. Kanë parë, dëgjuar dhe provuar shumë qenie si kjo e këtij tipit dhe në fund kanë vërtetuar se mund të dënojnë dhe nuk lejojnë që tipa të tillë të tallen me inteligjencën, dinjitetin dhe durimin e tyre. NATO-ja juaj, Presidenti Konsensual, Kryetari i Parlamentit, Gjuha Shqipe, Flamuri Kombëtar, Veteranët dhe Invalidët e luftës, Monstra, Sopoti, Radishani, Nerezi, Lagja e Trimave, autobusët e nxënësve, Milionat, Miliardat e kopshtit të skulpturave të shpifura antike, Car Dushani, Telekomi, shkollat shqipe, Podgorca, Llabunishta e shumë e shumë të tjera, janë veç disa nga ajo e keqe që ju e keni shkaktuar dhe e keni mbrojtur në mënyrë fanatike. Këto janë pjesë e atij sistemit të asaj partisë tënde. Janë të gjitha të grumbulluara aty. E ai sistemi juaj, ndihmoi dhe krijoi një sistem tjetër, sistem shtetëror që vret, pret, vjedh, diskriminon, getoizon, mashtron, shpërngul dhe shuan familje të tëra shqiptarësh. Këtij sistemi i ka ardhur fundi. Fundi po të vjen edhe ty. P.S. Pajtohem plotësisht veç me njërën nga fjalitë e tua, kur thua se: Populli do të dijë të vlerësojë saktë rolin e partisë tënde!