Ai ka zhvilluar takimin e parë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkohë, ka takuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli si dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se kryetari i këtij institucioni, Kadri Veseli ka biseduar me diplomatin amerikan për punën e institucioneve të Kosovës në avancimin e shumë proceseve në vend, si dhe bashkëpunimin rajonal.

Kryetari Veseli theksoi se Kuvendi po vazhdon të kryejë obligimet kushtetuese dhe në të ardhmen do të intensifikojë punën e vet në shtyrjen përpara të shumë vendimeve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, thuhet në komunikatë.

“Nga ana e tij, Hoyt Brian Yee theksoi nevojën e përshpejtimit të agjendës evropiane për vendin dhe vlerësoi përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e detyrave që ka”, thuhet në komunikatë.​

Zyrtari amerikan do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të minoriteteve dhe përfaqësues tjerë politikë në Kosovë.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë të Shteteve të Bashkuara që nga zgjedhja e institucioneve të reja qendrore të Kosovës, përkatësisht Qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit.

Para se të vijë në Prishtinë, Hoyt Brian Yee ka qëndruar edhe në Beograd. Atje, ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentit të Serbisë, thuhet se Yee ka shprehur brengosjen e tij për shkak të perceptimit se Serbia me një këmbë është e orientuar kah BE-ja e me tjetrën kah Rusia, duke shfaqur shqetësimin për shkak të ndikimit rus në rajon.

Diplomati amerikan kishte potencuar se përparimet e Serbisë në fushën e të drejtave të njeriut, lirisë së medieve dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, janë vendimtare në rrugën e Serbisë për anëtarësim në BE.

Ai u ka kërkuar sërish autoriteteve të Serbisë të zbardhin rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi në vitin 1999 dhe djegien e ambasadës së SHBA-së, në Beograd në vitin 2008.