“Maqedonia është vendi i radhës që mund të përmbushë kriteret për anëtarësim në NATO dhe unë e mbështesë, por problemi është emri “Maqedonia”, i cili duhet të jetë i pranueshëm edhe për Greqinë”, deklaroi ambasadorja e përhershme e SHBA-së në NATO, Kay Bailey Hutchison, përcjell Fol.

E pyetur se si ambasadore a do të angazhohet që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, Hutchison tha se Aleanca ka politikë të “dyerve të hapura” për anëtare të reja, por ata duhet të përmbushin disa standarde të caktuara demokratike dhe ushtarake.

“Para 10-15 viteve pati debat dhe është marrë vendim që të kemi politikë të dyerve të hapura dhe t’i inkuadrojmë vendet ballkanike dhe Baltike dhe të kemi standarde që do t’i bëjmë më të fuqishme. Nëse kemi standarde të përmbushura të demokracisë, ushtrisë dhe sundimit të së drejtës, atëherë këto vende do të jenë të afta të mbrohen edhe vetë dhe të mbijetojnë si vende demokratike në afat të gjatë. Politika e dyerve të hapura ende është këtu dhe standardet janë këtu”, tha Hutchinson.

Ajo theksoi se për shkak të kontestit me Greqinë nuk ka votim unanim për anëtarësimin e Maqedonisë.

“Mendoj se të gjithë e shohin Maqedoninë dhe përmbushjen e këtyre standardeve. Ka edhe pak deri te përmbushja e plotë, por besoj se nëse thonë se janë afër marrëveshjes për kontestin e emrit, duhet të ketë konsensus njëzëri. Mendoj se janë shumë afër. SHBA-ja i mbështet dhe nëse mund ta përmbushin pjesën e fundit në planin e brendshëm dhe të punojnë drejt zgjedhjeve të lira dhe qeverisë së fortë, atëherë do të jetë vendi i ardhshëm anëtar”, ka deklaruar Hutchison. /Fol/