Selim Ibraimi

Kaluan 15 vite që kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit (MO).Përditshmëria në Maqedoni tregon se raportet shqiptaro-maqedonase nuk janë përmirësuar dhe dallimet vazhdojnë të jenë plagë e marrëdhënieve të brishta.
Liderët e partive nënshkruese sado që të përdorin retorikën si mjet për ti tejkaluar pengesat dhe vështirësitë, ata nuk mund ti anëshkalojnë truket e post- marrëveshjes së vitit 2001.
Ka shumë punë për tu bërë dhe ende nuk po gjindet gjuhë e përbashkët për tejkalimin e mosmarrëveshjeve në parlament dhe qeveri.
Do të ishte mirë liderët të flasin me këtë gjuhë të arritjeve, por gjithnjë sikur raportet vjetore të Departamentit të Shtetit dhe BE-së, të tregonin një situatë tjetër etnike, të balancës ekonomike- sociale dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Maqedoni.
Realiteti politik në Maqedoni e tejkalon shtrirjen e Marrëveshjes së Ohrit.
Raportet shqiptaro-maqedonase po sfidohen tashmë nga aktorë të jashtëm dhe me tendencë të rënies së besimit.
Andaj një prani amerikane më e fuqishme diplomatike dhe komerciale do të mund të aktivizojë një lidership tjetër që do ti jepte fund krizës shqiptaro -maqedone.
Marrëveshja e Ohrit e parandaloi konfliktin, por liderët nuk e përcollën mesazhin deri në fund.
Që kur ish kryetari i atëhershëm i parlamentit Stojan Andov taktizonte me seancat parlamentare të Preambullës (2001-2002), MO nuk u pa si vazhdim i përpjekjeve politike për ripajtim, por më shumë u përdor për mbivotim, karrierë politike personale dhe shumë fenomene tjera negative që e përcollën këtë marrëveshje ndërkombëtare.
Për më shumë, vetë James Perdju ish kryenegociatori i MO-së, në vitin 2014 gjatë një vizite në Shkup, tha se MO nuk është respektuar nga palët dhe kritikoi liderët e partive shqiptare për mosangazhim të drejtpërdrejtë.
Në shtesë, diplomatë të lartë amerikanë kanë shfaqur shqetësime për moszbatimin e marrëveshjes.
Koha për liderë të rinjë është tani.
As Përzhino 1 dhe 2 nuk do ta bëjë Maqedoninë më të drejtë dhe demokratike, nëse nuk kemi udhëheqës të urtë dhe që punojnë për votuesit dhe të drejtat e tyre.Po si qëndron puna me liderët shqiptarë?