Mauro Icardi është kthyer nga lëndimi në mënyrën më të mirë, duke shënuar katër gola në fundjavë ndaj Sampdorias në fitoren 5:0.

Forma e mirë e sulmuesit argjentinas ka bërë që drejtuesit e klubit të nisin bisedimet me agjentin e Icardit, për vazhdimin e kontratës.

Kapiteni i Interit është një ndër lojtarët më të kërkuar nga klubet e mëdha evropiane, duke ngjallur interesimin edhe të Real Madridit.

Interi pritet t’i ofrojë kontratë të re 25-vjeçarit me një pagë prej 7 milionë euro në sezon deri në vitin 2023.

Icardi është golashënuesi më i mirë te “ziekaltërit”, duke shënuar 22 gola në 26 ndeshje të zhvilluara.