“Adem Jashari”, ky është titulli i librit me autor Ilir Shaqiri, kushtuar heroit kombëtar, prijësit të luftës për liri në Kosovë, Adem Jasharit.

Poema “Adem Jashari” që përmban 1.200 vargje, tashmë ka dalë nga shtypi dhe është botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

I veçantë në muzikë, artist i dëshmuar dhe një personalitet i çmuar lartë për gjurmët e lëna në botën e muzikës, Ilir Shaqiri viteve të fundit i është përkushtuar edhe letërsisë, ku po ia del me shumë sukses, duke zgjuar interesim të madh tek lexuesit.

Shaqiri është autor i dy veprave të mëparshme, “Tan Temali” dhe “Lemza e dheut”, të cilat u vlerësuan pozitivisht nga kritika.
Këngëtari e shkrimtari, pak muaj më parë u nderua me çmimin e madh “Kalorësi i Skënderbeut”, çmim që u ndahet personaliteteve të larta kombëtare, nga Arbëreshët e Kalabrisë.