Imami i Xhamisë Mesxhidi Aksa në Jerusalem, Shejh Ismail Navahde, në hutben e së premtes reagoi ndaj projekt-ligjit që ndalon këndimin e ezanit me altoparlantë në orë të caktuara që u miratua në raundin e parë të votimit në Parlamentin e Izraelit (Knesset), duke u bërë thirrje liderëve muslimanë të marrin përgjegjësi, raporton AA.

Shejh Navahde tërhoqi vëmendjen se Izraeli çdo ditë sjellë rregulla të reja në lidhje me Jerusalemin dhe Mesxhidi Aksanë, me në krye ndalesën e ezanit. “Paralajmërojmë forcat okupatore që t’i japin fund këtyre praktikave. Do të ngelin të detyruar të ballafaqohen me rezultatet duke e tërhequr një rajon të tërë në konflikt fetar përmes këtyre praktikave”, theksoi Shejh Navahde.

Duke reaguar ndaj vendimit të gjykatës izraelite për shpalljen e Mesxhidi Aksasë si vend i shenjtë i hebrenjve, Shejh Navahde u shpreh se “Muslimanët janë pronarët legjitim të këtij vendi të shenjtë. Ky vend është pjesë e besimit të muslimanëve.”

Ai e ka cilësuar si rrezik të madh planin e Izraelit në lidhje me ezanin, duke u bërë thirrje më tej liderëve të marrin përgjegjësi. “Muslimanët dhe liderët duhet të marrin përgjegjësi në këtë drejtim. Duhet vepruar sa më parë për ta shpëtuar, çliruar këtë vend nga okupatorët. Duhet lënë organizimi i konferencave, mbledhjeve dhe dërgimi i mesazheve të solidarizimit dhe ndërmarrë hapa konkretë”, theksoi Shejh Navahde.

Duke folur edhe për rëndësinë që muslimanët të heqin dorë nga mosmarrëveshjet dhe konfliktet mes vete dhe të jenë të bashkuar, Shejh Navahde tha se ata duhet të gjejnë zgjidhje për gjendjen e vështirë në të cilën gjendet Palestina dhe Jerusalemi.

Ndërkaq, në një deklaratë të mëparshme të përbashkët me shkrim nga Këshilli i Vakëfeve të Jerusalemit, Autoriteti i Vakëfeve Islame të Jerusalemit, Komisioni i Lartë Islam i Jerusalemit dhe Myftinia e Jerusalemit dhe Palestinës, u bë thirrje deri te popullata dhe muezinët që të vazhdojnë me thirrjen e ezanit me altoparlantë dhe të mos e respektojnë ndalesën.

Ndryshe, projekt-ligji parasheh ndalimin e këndimit të ezanit me altoparlantë mes orës 23:00 dhe 07:00. Në seancën e parë të votimit në Knesset, ai u pranua me 55 vota pro dhe 48 kundër. Për miratimin përfundimtar dhe futjen në praktikë të projekt-ligjit nevojitet që i njëjti të pranohet edhe në dy seanca të tjera në Knesset.