Analisti i njohur shqiptar në Maqedoni, Ismet Ramadani në debatin ‘Click plus’ në TV21 ka hedhur kritika të ashpra në adresë të partisë shqiptare në pushtet, gjegjësisht ndaj përfaqësuesit të kësaj partie Bekim Nezirit.

Ramadani tha se BDI-ja për një kohë të gjatë në pushtet nuk ka ndërrmarë asnjë veprim për të parandaluar rastet e kobshme në komunat shqiptare, si “Monstra”, “Kumanova”, “Sopoti” dhe shumë ngjarje tjera deri tek vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e politikanëve të dyshuar për kriminalitet dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Ramadani tha se BDI-ja në stilin e analistëve për të gjitha situatat vetëm jep konstatime dhe miraton verbërisht politikat e liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevski.

Ai gjithashtu, theksoi se Partia për Prosperitet Demokratik në atë kohë, kur Kosova ishte e okupuar dhe Shqipëria ende nuk i kishte marrë këmbët kishte reaguar ashpër rastin e Bit Pazarit.

“Edhe në atë kohë ne si parti rastin e Bit Pazarit e vendosëm për diskutim në Parlamentin e Maqedonisë. U kacafytëm keq me deputetët maqedonas për zbardhjen e plotë të rastit. Ndërsa BDI në këtë periudhë kohore, kur gjërat kanë ndryshuar shumë prej atëherë, nuk ka marrë asnjë masë për zbardhjen e rasteve të montuara”, deklaroi Ramadani.

Në anën tjetër, Bekim Neziri tha se, gjatë qeverisjes së BDI-së,  të gjitha parametrat tregojnë se Maqedonia ka shënuar rritje ekonomike.

Ai tha se, qëndrimi i BDI-së është se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të mbahen më 5 qershorë, si mundësi për fillimin e zgjidhjes së krizës politike.  (INA)