Pas Kupës së Botës, Italia rrezikon të mbetet edhe jashtë Kampionatit Europian të 2024. Kombëtarja axurre ndërlikoi jo pak pozitat në grupin kualifikues pas humbjes së rëndë 3-1 në mitikun ‘Uembli’ ndaj Anglisë. Pavarësisht se në avantazhin e një goli, skuadra e Spalletti u përmbys nga ‘Tre Luanët’, të cilët fillimisht iu drejtuan dhomave të zhveshjeve në ekuilibrat 1-1. Ndërkaq, në pjesën e dytë erdhi edhe kapitullimi italian, që pësoi edhe dy gola dhe merr kështu humbjen e radhës në kualifikueset e Europianit. Një disfatë që dy takime para fundit, Italia gjendet në vendin e tretë dhe garon direkt për biletën Europiane me Ukrainën.

“Bëmë gabime të shmangshme, por gjithashtu krijuam shumë dhe mund të kishim realizuar. Nuk kam frikë nga asgjë dhe do të habitesha nëse lojtarët e mi do kishin frikë. Ne kemi cilësitë për të luftuar me të gjithë.

Në krahun tjetër, Anglia e Garet Sauthgejt e ka siguruar biletën për në Europianin e vitit të ardhshëm, madje si kryesuese e grupit.

“Do tentojmë për të fituar grupin, pasi ky grup lojtarësh e ka cilësinë për ta bërë një gjë të tillë. Rivalët kanë qenë të fortë, por ne ia kemi dalë. Tashmë duhet të fitojmë edhe dy ndeshjet e radhës. Tifozët më kanë kritikuar, por kemi performuar shumë mirë në fushën e lojës.

Italia do tentojë që të garantojnë Euro2024 në dy duelet e radhës, ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës, një finale direkte për vendin e dytë në grup. Gjithsesi, për Axurrët kjo nuk është rruga e vetme drejt Gjermanisë, për shkak se do e tentojnë një biletë edhe përmes raundit play-off të Ligës së Kombeve.