Gjykatësi Ivan Xholev sot në Këshillin Gjyqësor, do të bëjë betimin zyrtar dhe do të ulet në postin e kryetarit të Gjykatës Penale të Shkupit.

Xholev hyri në garë për kryetar të Penales qysh vitin e kaluar së bashku me ish-shefin e kësaj gjykate, Vladimir Pançevski.

Që të dy në betejën për karrigen prestigjioze në Gjykatën e Shkupit, shkëmbyen kallëzime penale për vepra të ndryshme.

Gjykata Penale në Shkup është me raporte të prishura ndërnjerëzore. Periudhën e fundit ka qenë në fokus të publikut për shkak të aktualitetit të Prokurorisë Speciale dhe lëndëve që përfundojnë para kësaj gjykate, që janë të lidhura me dyshimet për krim të partisë VMRO-DPMNE që ishte pushtet.

Gjykata themelore Shkup 1, u kritikua në të dyja raportet e ekspertit juridik gjerman Rajnhard Pribe.

Përveç zyrtarizimit të postit udhëheqës në Penale, spekulohet edhe për emra të rinj në Këshillin Gjyqësor. Jozyrtarisht anëtare e re atje do të jetë gjykatësja Gordana Spirovska. Shef i prokurorisë për krim të organizuar përmendet emri i prokurorit Naum Panovski, ndërsa gjyqtari i Penales Ognen Stavrev do të shkojë një nivel më lartë, do të bëhet gjykatës i apeli.

Gjyqësori rregullisht kritikohet në raportet e BE-së. Para emërimit të Xholevit, me Penalen ka udhëhequr gjykatësi i supremes, Stojançe Ribarev i cili u tërhoq vet. Para tij ishte Tatjana Mihajllova. Edhe ajo pas disa muajve u largua vet, pasi Gjykata supreme ia anuloi tërësisht orarin, të cilin e përpiloi ajo.