Presidenti Gorgje Ivanov nuk ka qëndrim mbi nismën e Gjykatës Kushtetuese me të cilën ndërhyhet në kompetencat e tij. Tre ditë para mbledhjes, Ivanov vazhdon me heshtjen. Alsat M sot dërgoi pyetje në kabinetin e tij, por përgjigje nuk morëm.

“Nëse shfuqizohen ndryshimet e ligjit për abolim, a do të fal të dënuar për vepra penale, parregullsi zgjedhore dhe pedofili?”, ishte pyetja për presidentin.

Në pyetjet tona nuk u përgjigj as VMRO DPMNE-ja, parti e cila në vitin 2009 i mbronte me ngulm ndryshimet në Ligjin e faljes e cila përfaqësonte tezën se nuk ka mëshirë për parregullsi zgjedhore, pedofili dhe tregti me drogë. Pyetëm edhe në partinë e Gruevskit.

“Nëse shfuqizohet vendimi, a do të tentojë VMRO DPMNE të gjej tjetër mënyrë që ta kufizojë faljen e të gjykuarve të caktuar si dhe a është koha që Gjykata kushtetuese të vendos për falje të të gjykuarve për parregullsi zgjedhore, duke pasur parasysh se në këtë moment nga VMRO DPMNE ka disa funksionarë të lartë të dyshuar pikërisht për këtë vepër penale”, ishte pyetja për VMRO-në.

LSDM sot në një konferencë shtypi zbardhi ekzistimin e siç thonë ata, instalimeve familjare të VMRO DPMNe-së në Gjykatën kushtetuese.

“E bija e Elena Goshevës, gjykatëse e parë në gjykatën kushtetuese, Slobodanka Gosheva ka qenë nënkryetare e Unionit e të rinjve të VMRO DPMNE-së. Bashkëshorti i Sllobodanka Gosheva- Gievska është Igor Gievski, ish kryetar i UFR. Slobodanka Goshevska – Gievska ishte kryetare e Komisionit për regjistrim të popullatës i cili nuk u zbatua deri në fund. Bashkëshort i Elena Goshevës është Gjorgji Goshev, ish drejtor i Qendrës studentore i emëruar nga VMRO DPMNE”, deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Alsat M kërkoi qëndrim nga Kushtetuesja mbi protestat në oborrin e tyre, por personi për kontakt me opinionin u përgjigj se është e qartë kush qëndron pas kësaj.

“E vërteta ka dal në shesh dhe opozita e cila në vitin 2009 ka qenë kundër kufizimit të abolimeve, tani është ithtar më i madh që të shfuqizohen”, deklaroi zëdhënësja dhe në mënyrë të pakëndshme përfundoi bisedën tonë telefonike.

OJQ “Hajde” për të hënën paralajmëroi protesta të reja. Ndryshe nismën deri te Kushtetuesja më 5 shkurt e ka dorëzuar avokati i ri Risto Kitevski, i cili në Ohër e ndanë zyrën me avokatin Lupço Naumovski, i cili është avokat mbrojtës i Mile Janakievskit dhe Edmond Temelkos në rastin “Titanik”.