Nesër presidenti Ivanov pritet t’i ndajë mandatin për formimin e Qeverisë liderit të partisë apo koalicionit që do të sigurojë 61 deputetë. Në mungesë të një koalicioni të këtillë, jozyrtarisht Ivanov pritet që mandatin t’ia ndajë liderit të partisë fituese të zgjedhjeve të 11 dhjetorit, kreut të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski, njofton televizioni Shenja. 9 janari është afati i fundit kushtetues ku thuhet se presidenti i jep mandatin për formimin e Qeverisë mandatarit të ri në afat më së voni prej 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.

 

Zyrtarisht nga kabineti i presidentit Gjorgji Ivanov, nuk kanë zbuluar akoma kohën e saktë të ceremonisë për dorëzimin e mandatit, por thonë se mediat do të njoftohen me kohë. Deklarata e fundit e presidentit Ivanov në këtë temë ishte se do të respektojë afatin ligjorë dhe brenda 10 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit do t’i jep mandatarit të ri mandatin për formimin e kabinetit të ri Qeveritarë dhe këtë do ta bëjë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.

Por Ivanov nuk ka precizuar as liderit të cilës parti do t’ia ndajë mandatin. Jozyrtarisht pritet që mundësinë e parë për formimin e Qeverisë së re, kreu i shtetit t’ia jep liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, si parti fituese e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Gruevski më pas do të ketë në dispozicion 20 ditë për të propozuar në Kuvend kabinetin e ri qeveritarë dhe programin për punën e Qeverisë. Për të miratuar këto të dyja, atij do ti duhen 61 vota në Kuvend.

Nëse Gruevski nuk arin të sigurojë shumicën e nevojshme dhe koalicionim me partitë shqiptare, atëherë pas 20 ditëve ai është i detyruar që të ktheje mandatin te presidenti. Ky i fundit mandatin më pas duhet t’ia ndajë liderit të partisë e cila ka dalë e dyta për nga numri i votave dhe deputetëve të fituar në zgjedhjet parlamentare, në këtë rast kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili po ashtu do të ketë 20 ditë afat për koalicionim dhe për formimin e kabinetit të ri qeveritarë. 20 deputetët shqiptarë, 10 të BDI-së, 5 të lëvizjes Besa, 3 të Aleancës dhe 2 të PDSH-së janë mundësia e vetme me të cilët partitë maqedonase mund të koalicionojnë për formimin e Qeverisë së ardhshme.