Platformën e përbashkët për negociata për Qeveri që e miratuan partitë shqiptare në Maqedoni, e përshëndetën Tirana dhe Prishtina zyrtare.

Për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ky është hap historik dhe thotë se të drejtat e shqiptarëve nuk negociohen për karrige qeverie.

“Hap historik është shprehja e vullnetit të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni: Të drejtat e shqiptarëve nuk negociohen për karrige qeverie”, shkruan Edi Rama në profilin e tij në Fejsbuk.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta përshëndet deklaratën e përbashkët të Partive Politike shqiptare në Maqedoni dhe angazhimin e tyre për të ndërtuar një platformë të përbashkët politike në shërbim të prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë të Maqedonisë.

Sipas Metës, fryma e kësaj marrëveshjeje është shenjë e mirë që tregon për përgjegjshmërinë në rritje të faktorit politik shqiptar ndaj çështjeve me rëndësi kombëtare e rajonale dhe beson se kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë.

“Ky akt i rëndësishëm politik është shenjë e rëndësishme për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, vlerëson Meta.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka përgëzuar liderët e partive shqiptare në Maqedoni për bashkimin e tyre rreth një platforme, e cila siguron se do të punohet edhe më fuqishëm për realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Me këtë bashkim ata dëshmuan se interesat kombëtare dhe shtetërore janë më të larta se ato individuale dhe partiake”, shkruan Thaçi në profilin e tij në Fejsbuk.

Platformën e përbashkët të arritur mes partive parlamentare shqiptare në Maqedoni, e ka përshëndetur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj,  i cili thotë se është arritja më e madhe e shqiptarëve në vitet e fundit në Maqedoni.

Sipas tij, arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap shumë domethënës në përfaqësimin e denjë të interesave të shqiptarëve në Maqedoni. Zbatimi i kësaj platforme do t’i kontribuojë mirëqenies dhe stabilitetit të Maqedonisë, sundimit të ligjit, dhe të ardhmes euroatlantike të saj.