Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov nis sot takimet me partitë politike, me qëllim formimin e qeverisë.

Konsultimet me partitë politike parlamentare pasojnë takimet e Ivanov me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Nikolla Ivanovski dhe me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë Eduard Zhbogar.

Presidenti Ivanov ka theksuar se do të veprojë në përputhje me kushtetutën e vendit dhe vetëm në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Nikola Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE, ish kryeministër i vendit dhe fitues i zgejdhjeve të 11 dhjetorit nuk arriti një marrëveshje me BDI e Ali Ahmetit dhe për pasojë dështoi krijimi i qeverisë së re.

Sipas kushtetutës maqedonase, tashmë i takon partisë së dytë fituese e zgjedhjeve të krijojë qeverisë, që në këtë rast është LSDM e Zoran Zaev, por Gruevski nga ana tjetër kërkon zgjedhje të reja

Ky propozim është hedhur poshtë nga Brukseli.

Ndërmjetësuesit për zgjidhjen e krizës në Maqedoni, eurodeputetët Vajgëll dhe Flekenshtejn kanë deklaruar se zgjedhjet e reja nuk sjellin asnje dobi për vendin.

Edhe Komisioni Evropian një ditë më parë tha se përbërja e re qeveritare duhet të jetë e gjerë dhe të mbështetet në konsensus të fuqishëm reformues dhe bashkëpunim ndëretnik.