Avokati Naser Raufi në një intervistë për portalin Makfax pat deklaruar se të akuzuarit dhe dënuarit e rastit Monstra në mënyrë absolute janë të pafajshëm.

Ai ia përkujtoi opinionit publik deklaratën paralajmëruese të liderit serb Dragisha Miletiq dhjetë ditë para organizimit të asaj ngjarje të frikshme se në Maqedoni do të ndodh diçka e përgjakshme, transmeton TetovaSot.

“ Absolutisht mendoj se janë të pafajshëm. Politikës do t`i përshtatej një vrasje e këtillë. Nëse e mbani mend atë periudhë, bëhet fjalë për 12 prillin të vitit 2012.

Atëherë kishte edhe samit për pranim në NATO. Sipas gjitha gjasave dëshirohej që të bëhej ndonjë destabilizim që më lehtë të futemi në NATO, të tregohej diçka shumë e ngjashme me Vreshtat e Rashtakut kur kemi qenë të izoluar nga krejt bota dhe u nxjerr ai rast që në një mënyrë të na sjellin në NATO, pasi që jemi të izoluar.

Kjo gjë më duket në diçka e tillë, sidomos kur e kemi parasysh se kishte një deklaratë të liderit të partisë serbe, Dragisha Miletiq dhjetë ditë paraprakisht, se në pranverë do të ndodh diçka gjakderdhëse në Maqedoni. Dhe ndodhi.

Sipas meje, këtu janë të lidhura edhe shërbimet sekrete serbe, unë dyshoj se kjo gjë është vepër e shërbimeve sekrete serbe dhe tonave që ta destabilizojnë Maqedoninë me qëllim që sa më lehtë të realizohet hyrja e Maqedonisë në NATO”, deklaroi avokati Naser Raufi.

Përndryshe Dragisha Miletiq kohët e fundit është futur në koalicion me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev i cili edhe pse disa herë ka paralajmëruar se do ta publikoje rastin Monstra, ai këtë gjë nuk e ka bërë asnjëherë.

Në anën tjetër, anëtari më i ri në kryesinë qendrore të LSDM-së,ish gazetari Muhamed Zekiri proklamonte në opinion se lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev shumë shpejtë do ta publikoje bombën për Monstren./TetovaSot/