Një zënkë verbale në një lokal në Tetovë që ndërlidhet me një këngëtare, kulmoi me të shtëna armësh. Mbrëmë pak para mesnate në rrugën “Dershvish Cara”, që është ndër rrugët më të frekuentuara Tetovë, ku ndodhen edhe numri më i madh i lokaleve që frekuentohen nga të rinjtë, ka ndodhur një incident ku janë përdorur edhe armë. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, gjithçka ka filluar me një zënkë verbale.

Personi me iniciale I.A. nga Reçica e Vogël, ka shtënë dy herë me armë dhe e ka lënduar personin M.A. nga fshati Gajre, duke i shkaktuar lëndime në anën e majtë të trupit. SPB Tetovë ka dalë në vendngjarje dhe në bisedë me personin përgjegjës të objektit hotelierik bëhet e ditur se mbrëmë në objekt ka pasur të organizuar muzikë live dhe rreth 20 minuta pas mesnatës, në objektin një grua ka filluar të thyejë gota. Më pas, sigurimi ka ndërmarrë aktivitete që personat të largohen nga objekti, në atë moment I.A. ka ndërhyrë është, duke u përleshur verbalisht, pastaj edhe fizikisht me sigurimin”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Pas kësaj, sigurimi ka përjashtuar nga objekti edhe 40 vjeçarin I.A, ndërkaq në atë moment ai ka shtënë një plumb në ajër. Në njoftimin e ministrisë së brendshme, thuhet se sigurimi ka tentuar që ta ndalojë, por 40 vjeçari ka gjuajtur edhe një plumb duke e lënduar personin M.A., i cili ka qenë i dërguar në Qendrën Medicinale në Tetovë dhe pas dhënies së ndihmës mjekësore, ai është lëshuar në mjekim shtëpiak.

Zyrtarët e policisë së uniformuar në vendngjarje kanë gjetur dy gëzhoja nga plumbat dhe nga I.A. është marrë pistoleta model “57 TT Cërvena Zastava” kalibër 72 mm. I.A. është arrestuar në SPB Tetovë dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të paraqitet padi përkatëse. Rasti është kategorizuar si “tentativë për vrasje”, thuhet më tej në njoftim.

Përpos kësaj, dëshmitarë okularë thonë se në spitalin e Tetovës janë dërguar disa të rinj të tjerë të plagosur, të cilët kanë marrë plagë nga gjësendet e forta dhe pjesët e qelqit nga dritaret e thyera.