Qytetarët e Kumanovës dhe të Lagjes së Trimave janë përpjekuar që të pengojnë përfaqësuesit e BDI-së që të hyjnë në qytet. Ata kanë bllokuar hyrjen për në Lagjen e Trimave, edhe pse një ditë më parë partia kishte njoftuar se kreu i saj Ali Ahmeti nuk do ta vizitojë Kumanovën për hapjen e shtabit zgjedhor.

“Ai nuk është i mirëseardhur tek ne. Këtu i ka humbur të gjitha vlerat e tij që i kishte, nuk ka çfarë të vij këtu. Atij, Aliut, tashmë i kanë mbetur vetëm dy zgjidhje: ose litarin ose Idrizovën. E ka humbur Kumanovën”, tha Mejdi rexhepi, babai i Komandant Shqiponjës.

Ish kreu i shtabit emergjent në Lagje të Trimave, Shaban Demiri, theksoi se është vullnet i banorëve që mos t’i përkrahin ata që nuk i mbështetën këta banorë më 09 dhe 10 maj.

“Mendimi i shumicës dërmuese, banorë të kësaj lagje, është se nuk na duhen ata të cilët nuk na kanë ardhur në ndihmë, atë ditë që është dashur të na dalin në krahë”, deklaroi Shaban Demiri, ish kryetar i Shtabit Emergjent.

Kumanovën e vizituan vetëm funksionarë të caktuar të BDI-së si: Ministri i pushtetit lokal, Lirim Shabani, kryetari i Komunës Çairit, Izet Mexhiti, kryetari i degës së BDI-së së Çairit, Beqir Asani, zv. Drejtori i DSK-së, Arif Asani, ish kryetari i Komisionit për verifikimin e dëmeve në Lagjen e Trimave, Ejup Alimi, deputetët e zonës dhe funksionarë të tjerë të BDI-së. Qëllimi i vizitës ishte hapja e shtabit zgjedhor në Kumanovë./Shenja