Presidentja në shkuarje, Atifete Jahjaga gjatë qëndrimit për vizitën e fundit në SHBA si e para e Kosovës, ​përveçse është pritur nga zëvendëspresidenti amerikan Joe Beiden, ajo ka mbajtur fjalim edhe në Këshillin Atlantik ​për menaxhimin e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimorë. Jahjaga, po ashtu ka mbajtur fjalim edhe në Universitetin NYU në Washington DC ku u shfaq edhe dokumentari “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa Mripa dhe producentes Anna di Lellio që flet për femrat viktima të dhunës seksuale në kohen e luftës. 

Më poshtë ua sjellim dy fjalimet e plota të Presidentes Atifete Jahjaga në SHBA: 

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Këshillin Atlantik: 

E dashura zonja Farkas,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Shtatëmbëdhjetë vite më parë, në këtë ditë, në këtë kryeqytet dhe në kryeqytetet e vende evropiane aleate të NATO-s, u mor një vendim i guximshëm për të intervenuar në baza humanitare për të ndaluar krime lufte dhe pastrimin etnik të kryer mbi shqiptarët në Kosovë nga aparati shtetëror i Serbisë.

 Vendimi për të ndërmarrë një kampanjë bombardimi ndaj caqeve ushtarake, për ta ndalur represionin serb dhe për ta detyruar tërheqjen e forcave nga Kosova ka bërë një histori të madhe.

 Për herë të parë në historinë e aleancës së Atlantikut Verior, u zhvillua një luftë në bazë të sigurisë regjionale. Jo për territor, as për burime, por për principe: kundër një shteti sovraniteti i të cilit kishte humbur legjitimitetin kur filloi të persekutojë dhe të shtypë qytetarët e vet në bazë të kombësisë së tyre.

 Brutaliteti i ndërmarrë në Kosovë në vigjilje të shekullit të 21-të nuk ishte i panjohur për liderët e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo pasoi masakrat në Ruandë, dhe Bosnje, fare pranë Kosovës.

 Ato peshonin rëndë në mendjet e vendim marrësve. Na sfiduan ne që të mendohemi se përse shërbejnë aleancat, lidhjet e kombeve, konventat, ligjet dhe kartat, nëse vazhdimisht dështonim në mbrojtjen e të pambrojturve nga dhuna e sponzoruar nga shteti?

 Në Kosovë, ata u bënë ashtu siç thonin se ishin. Intervenimi ndali luftën dhe ju solli kosovarëve paqen dhe lirinë aq shumë të kërkuar.

Komuniteti ndërkombëtar – OKB-ja, NATO dhe një numër i madh i organizatave ndërkombëtare – tejet të angazhuar në detyra të ruajtjes së paqes dhe ndërtimit të institucioneve, i ndihmonin Kosovës të lëvizte drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë. Rreth një milion refugjatë u kthyen nëpër shtëpitë e tyre në ditët ë para pas përfundimit të konfliktit.

 Pas pothuaj se 10 vitesh të involvimit aktiv ndërkombëtar, një rrugëtim i jashtëzakonshëm i shtetndërtimit, Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, dhe kur po i afrohemi përvjetorit të një dekade si shtet i pavarur, mund të them me besim të plotë se ne kemi arritur të rimarrim veten, të tejkalojmë dhe të lëvizim përpara.

 Përgjithësisht, aftësia jonë për të përparuar nga një shtet në gjendje lufte në shtet ligjor në një periudhë të shkurtër ligjore ishte rezultat i drejtpërdrejtë i sigurisë së vendosur në terren dhe vendosmërisë së aleatëve amerikanë dhe evropian për ti qëndruar të vendosur zotimit për paqe dhe stabilitet në Ballkan.

 Kjo siguri mbahej nga pesëdhjetë mijë trupa të NATO-s të vendosura fillimisht në Kosovë, një vend me 2 milionë banorë dhe me madhësi sa territori i shtetit Connecticut, si garantues të paqes, dhe nga mijëra policë të OKB të cilët vendosën parametrat e ligjit dhe rendit. 

Siguria dhe strategjia dalëse ishin të lidhura ngushtë me  themelimin e institucioneve të reja të sigurisë të cilat ne duhej ti krijonim, të udhëhequr aq zemërgjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Ato bazoheshin në krijimin e besimit, parashikueshmërisë dhe qartësisë.

 Ne morëm mbi vete përgjegjësinë për sigurinë e të gjithëve në Kosovë nëpërmes Policisë së Kosovës, një institucioni të besueshëm i cili reflekton balancin etnik në Kosovë.

 Ne jemi në proces të transformimit të forcës sonë të veprimit të shpejtë në Forcat e Armatosura të Kosovës, një forcë mbrojtëse e cila reflekton ambiciet dhe interesat e shtetit dhe e cila është duke u krijuar me një qasje graduale dhe shumëfazëshe, në përputhje me shqyrtimin e detajuar të sektorit tonë të sigurisë, i cili përqafon standardet e NATO-s.

 Në fazën e ardhshme të përmbylljes së sovranitetit të shtetit, përgjegjës për sigurinë e vet, kemi për qëllim që të ndërtojmë një forcë fleksibile dhe moderne mbrojtëse, e cila do të jetë një pasuri për sigurinë regjionale dhe e cila do të ndihmojë në ruajtjen e paqes në Evropë.

 Si rrjedhojë e këtij transferi gradual, tani ka vetëm 3000 trupa të NATO-s në terren dhe ata më nuk zhvillojnë patrullime apo mbajnë  pika kontrollimi. Por, prezenca e tyre mbetet një gurthemel i sigurisë në Ballkan, sepse edhe pas 15 vjet angazhimesh aktive, ka akoma punë të papërfunduara në regjion.

 Jemi të vetëdijshëm se shumica e sfidave që kanë vendet e Ballkanit para vetes në rrugën e tyre drejtë anëtarësimit në NATO dhe BE janë të brendshme – siç janë korrupsioni endemik, monopoli ekonomik i elitave të fuqishme dhe pasojat e tjera të keqqeverisjes dhe sundimi jo i plotë i ligjit, të cilat janë kërcënime potenciale.

Por, ajo për çfarë duhet të jemi të vetëdijshëm është edhe përparimi i madh të cilin regjioni e ka bërë gjatë dy dekadave të kaluara, përparim i cili nuk do të ishte i mundur pa prezencën e perspektivës për integrim veri atlantik dhe evropian.

 Kjo ishte incentiva jonë gjithëpërfshirëse për t’u reformuar, për të vepruar së bashku, e edhe për të arritur përparim i cili do të ishte i paimagjinueshëm vetëm disa vjet më parë.

 Vëmendja e nevojshme sot në Ballkan nuk është ajo e emergjencës. Është e adoptimit nga Ballkani i një modeli të cilin Evropa tani më e kishte testuar dhe sprovuar me sukses para gjysmë shekulli.

 Qëllim i yni strategjik është anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, një qëllim i përbashkët i shumicës së spektrit politik të Kosovës.

 Ne nuk shohim alternativë tjetër ndaj këtij integrimi dhe e di se angazhimet tona komplikohen nga mosnjohja nga katër anëtarët e NATO-s dhe nga reformat ndonjëherë ta ngadalta në vend, dhe do të doja që të mendonim më larg dhe ta shohim këtë momentum si mundësi për ta ndryshuar rrjedhën e historisë në vendet e Ballkanit perëndimor.

 Me një përjashtim në regjion, vizioni ynë i përbashkët është të bëhemi pjesë e ombrellës së madhe të sigurisë sepse jemi të bindur që ajo është mënyra e vetme për të garantuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.

 Vendimi i NATO-s për t’i ofruar formalisht anëtarësim Malit të Zi është një hap pozitiv i shumëpritur, siç është edhe vendimi i BE-së për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë dhe Serbisë dhe të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më Kosovën, si hap i parë drejt integrimit evropian.

 Ne kurrë nuk duhet ta konsiderojmë sigurinë si të ndarë nga situate politike, çështje për të cilën kemi bërë shumë për ta adresuar për shkak të aspiratave tona për tu anëtarësuar në BE dhe NATO.

 Përkundër armiqësive të cilat akoma ekzistojnë dhe vështirësive për të hyrë në dialog me armikun e mëhershëm, qeveritë e Kosovës dhe Serbisë po mundohen që të normalizojnë marrëdhëniet në një proces  të lehtësuar nga BE-ja.

 Ky angazhim nuk është perfekt. Mungesa e implementimit të prekshëm dhe shumëkuptimshmëria nuk ndihmojnë, por të dy vendet janë të lidhura me kushtëzimin nga BE-ja që të dy vendet të zgjidhin mospajtimet mes tyre para se vendet të merren në konsiderim për anëtarësim.

 Për Kosovën kjo nënkupton njohje të plotë të pavarësisë nga Serbia para se Serbia të anëtarësohet në BE. Çdo gjë më pak se njohja do të kthejë prapa dekada të investimeve dhe angazhimeve për të vendosur paqe në Ballkan dhe për ti dhënë drejtimin drejtë prosperitetit.

 Zonja dhe zotërinj,

 Nuk ka kohë për lodhje nga zgjerimi. Vendet e Ballkanit perëndimor janë në gjysmë udhe dhe kemi nevojë për edhe një shtytje e cila do të na vendoste drejt rrugës së progresit nga nuk mund të kthehet prapa.

 Integrimi në BE dhe NATO nuk janë ilaç për çdo gjë, dhe më këtë pajtohem plotësisht, por pa këtë opsion të qartë, e ardhmja jonë bëhet e paqartë. Vakumi në të cilin momentalisht e gjejmë veten i ka hapur rrugë dhe mundësi forcave dhe agjendave të cilat tradicionalisht kanë kërkuar që të minimizojnë çfarëdo lloj suksesi në Ballkan dhe më gjerë.

 Sot, ne gjendemi në mes të një politike ruse, antiperëndimore, dhe agjendave të ndryshme islamiste, të cilat mëtojnë të shfrytëzojnë frustrimet e mbledhura, izolimin, mungesën e prosperitetit ekonomik dhe stagnacionin e gjithëmbarshëm.

 Shumë është investuar në stabilitetin e Kosovës, Bosnjës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ne kemi filluar të përmblidhemi por kemi nevojë për ndihmë që të qëndrojmë në rrugën e duhur. Ne nuk po kërkojmë lehtësira në rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së, por nuk duhet ta largojmë nga mendja atë çfarë është e një rëndësie strategjike.

 Ne jemi pjesë integrale e Evropës dhe duhet të trajtohemi si të tillë. Sot, qytetarët e Kosovës janë populli i vetëm në Evropë i cili nuk mund të lëvizë lirshëm, pa viza, drejt vendeve të tjera të Evropës. Vendi i vetëm ku mund të shkojnë pa viza është Turqia.

 Në dëshirojmë të shihemi si vlerë e shtuar, të jemi pjesë e zgjidhjeve e jo gjenerues i problemeve.

 Dhe betohemi se do ta kryejmë pjesën tonë të punës.

 Më lejoni t’ju jap një shembull të lidhur me sigurinë. Gjatë katër viteve të fundit, institucionet e Kosovës kanë konfrontuar me sukses sfidat nga luftëtarët e luftërave të huaja, qytetarë të Kosovës të cilët i janë bashkuar ISIS-it.

 Në vitet 2013 dhe 2014, rreth 200 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar për në Siri dhe Irak, numër ky i cili na vendos në krye të tabelës së luftëtarëve të luftërave të huaja për kokë banori.

 Ne ishim të pakompromisë në qasjen tonë sapo e mësuam se edhe ne ishim të prekur nga ky fenomen. Reagimi ynë i parë ishte të mësojmë secilën gjë – nga rekrutuesit e deri tek financimi dhe rrugët, dhe të mësonim mbi lidhjet dhe qëllimet e tyre. Ne vepruam shpejt dhe me vendosmëri ndaj atyre të cilët u kthyen dhe i sistemuan në sistemin tonë ligjor.

 Edhe me rekrutuesit ishim të vendosur. Arrestimet e ndërmarra na drejtuan tek disa dhjetëra imamë me lidhje në Maqedoni dhe Shqipëri. Mbyllëm xhamitë ilegale dhe OJQ-të të cilat vepronin si paravan për aktivitetet e tyre, posaçërisht në shpëlarje të parave dhe indoktrinim.

 Kjo sfidë ndaj sigurisë sonë kishte edhe një efekt të menjëhershëm. Ne kemi ripërtërirë disa nga partneritetet tona të vjetra dhe kemi filluar disa të reja, posaçërisht me vendet fqinje, të cilat kanë rezultuar me arrestime të kalibrit të lartë.

 Kemi rifreskuar ligjet tona dhe kemi aprovuar ligje të reja për të siguruar se sovraniteti dhe pavarësia ligjore nuk duhet të jenë katalizator për ata të cilët dëshirojnë ta ndjekin këtë rrugë.

 Bashkëpunimi ishte kyç për ta kuptuar se ne duhet t’i bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Përkundër prezencës së NATO-s dhe misionit më të madh të BE-së për sundimin e ligjit, ishin agjencitë tona të zbatimit të ligjit të cilat morën përgjegjësinë për ta shndërruar Kosovën në frontin evropian të luftimit të rrjetit terrorist.

Zonja dhe zotërinj,

 Para se të përfundoj, më lejoni t’ju jap disa mendime rreth sfidës sonë të fundit.

 Ne i ekzaminuam disa çështje sot, në përvjetorin e intervenimit në Kosovë karshi një krize të re para portës së Evropës.

 Përderisa po flasim këtu, ka refugjatë sirianë dhe emigrantë nga vende të varfra të lindjes së mesme dhe më gjerë, të cilët janë grumbulluar në territorin më të brishtë të Evropës, në tokën e askujt në mes të Greqisë dhe Maqedonisë, dhe së fundmi edhe Shqipërisë.

Ka supozime se Shqipëria dhe Kosova janë vendet e ardhshme nëpër të cilat refugjatët dhe emigrantët do të mundohen të gjejnë rrugë të reja për t’i sjellë ata drejt veriut, në Evropën perëndimore, destinacioni i tyre kryesor. 

Unë i bashkohem Kryeministrit të Shqipërisë për të thënë se ne nuk do t’i hapim kufijtë – jo për shkak të mungesës së vullnetit, por për pamundësinë për t’u ofruar kujdesin e nevojshëm – por as nuk do të ngrehim mure.

 Vuajtjet e refugjatëve sirianë janë shumë të afërta për ne. Gjatë luftës në Kosovë, një milion shqiptarë – gjysma e popullatës së Kosovës – u dëbuan nga shtëpitë. Ne ishim të detyruar të largohemi drejt vendeve fqinje, në të cilat, përkundër frikës se refugjatët nga Kosova në njëfarë mënyre do ta pushtojnë vendin e tyre, ne u mirëpritëm krahëhapur. Rreth 600.000 refugjatë u pranuan nga Shqipëria, e cila kishte resurse të limituara, si një nga vendet më të varfra të Evropës. Në Maqedoni po ashtu.

 Por, tre muaj më vonë, kur intervenimi i udhëhequr nga SHBA ndaloi agresionin Serb, një milion refugjatë ngarendën prapa drejt shtëpive të tyre. Më kujtohet paniku i organizatave dhe agjencive për ndihmë nga minat dhe shkatërrimi i lënë pas nga lufta.

 Por, për refugjatët të cilët nuk dëshirojnë t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, moment i kthimit nuk ishte mjaftueshëm i shpejt.

 Ata të gjithë u kthyen tek shtëpitë e tyre brenda dy javëve nga përfundimi i luftës.

 Në këtë debat, ne duhet të mbajmë mend se refugjatët janë produkt i luftës. Që ta ndalim rrjedhën e tyre ne duhet ta adresojmë shkakun i cili i ka shtyrë të ikin.

Ne duhet ta mbajmë mend se ata janë njerëz të detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe se askush asnjëherë nuk dëshiron ta lë shtëpinë e vet. Askush nuk dëshiron t’i bëhet barrë askujt tjetër.

 Dhe përderisa po e mësojmë se nuk ka një mënyrë të vetme për ta adresuar migrimin dhe se secili shtet në Evropë do ta zgjedhë çështjen në mënyrë vetjake, ne duhet të sigurohemi që veprimet dhe resurset tona të jenë të përbashkëta.

 Ju faleminderit shumë për vëmendjen

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në shfaqjen e dokumentarit “Mendoj për ty” në Washington:

Të dashur studentë,
Zonja dhe Zotërinj,
 
Është kënaqësi e madhe t’ju drejtohem në këtë eveniment i cili shpalos një pjesë të vështirë të historisë së re të Kosovës. Para vetëm 17 vjetësh, Kosova doli nga një luftë e tmerrshme, e cila rezultoi me një milion refugjatë, mijëra jetëra të humbura, shkatërrim të tmerrshëm material dhe mijëra viktima të paimagjinueshme të dhunës dhe keqtrajtimit seksual.
 
Dhe përderisa kemi lëvizur përpara në rindërtimin e të ardhmes sonë mbi hirin e shkatërrimit dhe vuajtjes së pamasë njerëzore, duke u munduar të gjejmë zgjidhje për shumë sfida rreth ndërtimit të një vendi paqësor, stabil dhe të sigurt, ne ndërmorëm vendime si shoqëri për të nderuar dhe respektuar sakrificën e secilit qytetar të cilët dhanë çdo gjë për çlirim dhe për liri.
 
Ne i nderuam të gjitha gratë dhe burrat të cilët shtrinë dorën e ndihmës në kohët më të vështira dhe mbështetjen e fortë të të gjitha vendeve mike të cilat ndaluan gjenocidin në Kosovë dhe na ofruan mundësinë për një jetë në paqe dhe në liri.
 
Ne e bëmë këtë duke ndërtuar një shtet të bazuar në principe qytetare, duke garantuar dhe respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik, fetar apo gjinor, sepse e dinim fare mirë se sa e shenjtë është mbrojtja e drejtave të njeriut, dhe se ne si shoqëri me dekada të tëra kemi vuajtur nga mungesa e respektimit të tyre.
 
Por, përkundër gjithë kësaj pune të palodhshme gjatë viteve për ta rindërtuar shoqërinë tonë, e kishim të vështirë ta adresonim një pasojë të rëndë të luftës, e cila kishte prekur dinjitetin e vajzave, motrave dhe nënave tona duke i kthyer trupat e tyre në fushë beteja.
 
Dhuna seksuale u përdor si mjet lufte në Kosovë ndaj mijëra grave dhe burrave më qëllim që të instalohet ndjenja e frikës dhe shtypjes tek qytetarët e pafajshëm, u përdor për të nxitur pastrimin etnik, për t’i përulur meshkujt, për ta zhveshur një shoqëri nga vlerat e saj njerëzore, dhe për të mbjellë farën e vuajtjes dhe dhimbjes përjetësisht në jetërat e viktimave, familjeve të tyre, dhe mbi të gjithë ne.
 
Në ditët e para të mandatit tim si Presidente e Kosovës shkova të takoj një grup të grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, Ato më pritën ngrohtësisht dhe m’i hapën zemrat e tyre.
 
Tmerret të cilat trupat e tyre i kishin përjetuar flisnin me zë të lartë për krime jo njerëzore, që na bënte thirrje të gjithë ne që të ngritemi dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat, të kërkojmë dënim për kryesit e këtyre veprave, dhe që ta ndalojmë përdorimin e këtij mjeti të luftës. Tregimet e tyre pothuaj se nuk ishin dëgjuar fare jashtë mureve të organizatës ku po merrnin trajtime, dhe në shumicën e rasteve nuk ishin ndarë kurrë ne askënd.
 
Krimi i tmerrshëm i dhunës seksuale i kishte mbajtur viktimat të burgosura brenda tmerreve të cilat i kishin përjetuar, të heshtura, të stigmatizuara dhe të turpëruara nga mbarë shoqëria.
 
Ne nuk e kishim kuptuar se duke e zgjedhur heshtjen, ne si individë, si shoqëri dhe si institucione, ishim bërë pjesë e padrejtësisë së kryer mbi to.
 
Kur u ktheva në zyre atë ditë, me zemër të thyer dhe e tmerruar nga e gjithë ajo, nuk munda që më gjatë ta pranoj atë heshtje e cila e rrethonte këtë çështje. Vendosa se ishte koha për ta udhëhequr shoqërinë tonë drejtë gjetjes së rrugës për të adresuar këtë pjesë të historisë sonë të përbashkët, dhe për ta ndryshuar diskursin social dhe institucional të cilin e kishim mbajtur për vite me radhë.
 
Para dy vitesh, unë themelova me dekret special Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, një mekanizëm të paprecedent, i cili mblodhi rreth vetes të gjithë sektorët e shoqërisë, institucionet shtetërore, organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të përbashkët për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për t’i ofruar të mbijetuarve njohje ligjore, mbështetje psiko-sociale, qasje në drejtësi, qasje në burime ekonomike dhe mbi të gjitha, njohjen nga mbarë shoqëria dhe nga mbarë bota të krimit të kryer mbi ta.
 
Me krenari e kujtoj takimin e parë të Këshillit Kombëtar me 7 mars 2014, kur me një zë, për herë të parë, ne si institucione dhe si shoqëri shprehëm vendosmërinë tonë për ta thyer tabunë e cila e rrethonte këtë çështje për një kohë aq të gjatë, të luftojmë stigmën e cila akoma i rrethon ata dhe për të punuar pa ndalur për ti trajtuar ata siç i kishim trajtuar kategoritë tjera të luftës, me respekt dhe nderim të dinjitetshëm të sakrificës së tyre.
 
Më 12 qershor të vitit të kaluar, në Ditën e Çlirimit, mbarë vendi u zgjua nga një realitet i ndryshuar. Stadiumi i Prishtinës ishte i mbuluar me mijëra fustane, të cilat mbanin tregime të krimeve të dhunës seksuale të kryera mbi njerëz të pafajshëm, krim për të cilin më nuk mund të heshtnim.
 
Instalacioni artistik “Mendoj për Ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna di Lellio, na solli zërin e fuqishëm të të gjitha viktimave, një solidarizim të paprecedent të grave dhe burrave nga çdo cep i vendit dhe përtej, të cilët iu përgjigjën thirrjes për të dhuruar një fustan për këtë instalacion artistik.
 
Me ndihmën e Këshillit Kombëtar, organizatave të grave dhe aktivistëve, institucioneve qeveritare, njerëzve të thjeshtë dhe shumë partnerëve, ne pamë një kërkim artistik për drejtësi nga Alketa dhe Anna i cili u shndërrua në një lëvizje e cila doli përtej kufijve të vendit tonë, lëvizje e cila fliste hapur për dhunës seksuale si mjet lufte dhe e cila kërkonte drejtësi për të gjithë të mbijetuarit në Kosovë dhe në botë.
 
Ajo ditë do të mbetet përherë e freskët në kujtesën time, sepse nëpërmes gjuhës universal të artit ne si shoqëri u bashkuam, dëgjuam tregimet e njëri-tjetrit për një krim të tmerrshëm dhe shprehem vendosmërinë tonë për tu ofruar paqe të gjithë të mbijetuarëve.
 
Dhe derisa po ecja në stadium, nëpër mijëra fustane, hasa në dy funde të cilat mbanin të shkruar dy mesazhe të cilat ta thyenin zemrën: Në njërin fund shkruante: “Unë kam një përvojë të hidhur”, ndërsa në tjetrin: “ Ky fund mban në vete një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998”.
 
Sot, ato dy funde janë të varura në muret e Zyrës së Presidentit të Kosovës për të na përkujtuar sakrificën e mijëra grave dhe burrave, por mbi të gjitha për të na përkujtuar se është obligim i yni për ti trajtuar ata me dinjitet.
 
Sot, u them të gjithë të mbijetuarve, faji nuk bie mbi ju dhe se ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi për ju. E falënderoj Alketën dhe Anën për këtë instalacion të fuqishëm artistik i cili na bën të gjithëve krenarë.
 
Të dashur studentë,
Zonja dhe Zotërinj,
 
Gjatë viteve kam dëgjuar tregime të grave ëndrrat e të cilave për tu bërë nëna kurrë nuk u realizuan sepse ato humbën fëmijët akoma të palindur për shkak të dhunës jo njerëzore të kryer mbi to.
 
Kam dëgjuar tregime të nënave të cilat kanë qenë dëshmitare të përdhunimit, rrahjes dhe torturimit të vajzave të tyre, para syve të tyre, tregime të grave të abuzuara seksualisht në mënyra të paimagjinueshme para syve të burrave, baballarëve të tyre, para syve të mbarë fshatit. Tregime të fëmijëve të vegjël të cilët nuk i mbijetuan këto akte jo njerëzore. Tregime të grave të cilat humbën familjet e tyre për shkak të turpit nga ky krim, gra dhe vajza të reja, të lëna prapa me njollën e turpit të vendosur thellë në trupat e tyre.
 
Në të gjitha këto tregime po ashtu u bëra dëshmitare e guximit të vajzave të reja dhe grave, të cilat përkundër çdo gjëje, gjetën forcë për të rindërtuar jetërat e tyre, të kujdesen për fëmijët dhe familjet e tyre, të cilat i luftojnë për çdo ditë tmerret të cilat i kanë përjetuar dhe të cilat nuk dorëzohen asnjëherë. Gra të cilat e inkurajojnë njëra tjetrën për të mbijetuar dhe të cilat i thonë njëra tjetrës se ato janë heroinat e shoqërisë sonë.
 
Po ashtu kam dëgjuar tregime për gra të fuqishme të cilat përmes vendosmërisë së tyre i kanë ofruar mbështetje të mbijetuarve që nga përfundimi i luftës dhe kanë ngritur zërin edhe atëherë kur askush nuk tregonte vullnet për ti dëgjuar.
 
Ju them të mbijetuarve se ju jeni me të vërtetë heroinat tona dhe i shpreh falënderimet më të thella në emër të shoqërisë gjithë grave dhe burrave të cilët luftuan pa ndërprerë për drejtat e tyre.
 
Shpresoj se duke e shikuar këtë dokumentar rreth instalacionit të fuqishëm artistik “Mendoj për Ty”, ju do ta kuptoni shkallën e lartë të këtij krimi të lemerishëm të luftës i cili ndodhi në Kosovë dhe do ta merrni me vete forcën dhe kurajën e të mbijetuarve.
 
Ne mund ta ndalim këtë mjet lufte, i cili çdo ditë po shkatërron jetëra në cepe të ndryshme të botës, po shkatërron thelbin e njerëzisë sonë; por ne duhet të veprojmë bashkarisht dhe ta luftojmë këtë kulturë të mosndërshkueshmërisë.
 
Neve si shoqëri na u desh kohë e gjatë për ta gjetur rrugën e drejtë. Aplikacionet e para nga tri gra për njohjen ligjore të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës i kam pranuar javën e kaluar, 17 vjet pas përfundimit të luftës.
 
Dhe po ashtu, edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës akoma asnjë person nuk është dënuar për krimet e dhunës seksuale të kryera në Kosovë.
 
Por, ne sot nuk jemi më të heshtur, sot flasim me një zë për të mbijetuarit. Sot kërkojmë drejtësi.
 
Dëshiroj të falënderoj organizatorët e këtij evenimenti të rëndësishëm, ambasadën e Kosovës në Washington, D.C, sepse populli dhe qeveria Amerikane kanë qëndruar pranë nesh në kohërat tona më të vështira. Jam e nderuar dhe kam kënaqësinë që shoh se e kemi mbështetjen tuaj edhe në këtë kërkim tonin për paqe dhe drejtësi.
 
Ne nuk mund ta ndryshomë të kaluarën por mund të punojmë së bashku dhe të garantojmë një të ardhme më të mirë për secilin. Besoni në fuqinë tuaj për të sjellë ndryshime.

Ju faleminderit.

.