Vlora Çitaku si ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte pjesë e Këshillit të Sigurimit Para disa kohës, ish-presidentja Atifete Jahjaga ishte ndaluar nga shteti serb që të paraqitej në një ngjarje në Beograd, duke iu ndaluar hyrja në shtetin fqinj si dhe fjalimi që ajo kishte planifikuar në Beograd.

Këtë nuk e la pa përmendur Çitaku, e cila në fjalimin e saj ndau vend edhe për një pjesë të fjalimit shumë prekës të ish-presidentës mbi femrat e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në vazhdim kemi një pjesë të fjalimit të ish presidentes Jahjaga, që ishte ndaluar të prezantohej në kryeqytetin serb, transmetuar nga ambasadorja Çitaku:

“Një nga veprimet e fundit të turpshme të Serbisë ishte ndalimi i vizitës së ish-presidentes Atifete Jahjaga në Beograd për të qenë pjesë e një ngjarje, që kishte për qëllim që t’i jepte shtytje dialogut mes dy shteteve. Zonja Jahjaga do të ishte pjesëmarrëse e një promovimi të librit, që përmban dëshmi nga gra të torturuara dhe dhunuara gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

“Pranimi i së vërtetës për krimet e luftës në Kosovë është mënyra e vetme se si dy shoqëritë mund të lëvizin para. Pasi presidentja Jahjaga nuk kishte mundur të lexonte fjalimin e saj në Beograd, unë dua ta lexoj një pjesë të tij këtu: “Historitë e prezantuara në libër nuk janë vetëm histori torture dhe abuzimi, ato janë histori të një torture më mizore.

Këto janë histori se si dhunimi është përdorur si vegël e luftës, këto janë histori të një vërtete që tentohet të fshihet e të groposet. Ndër vite, unë kam takuar me qindra të mbijetuar të sulmeve seksuale gjatë luftës, në pjesë të ndryshme të vendit tim.

Me kujdes e durim, kam dëgjuar të gjitha historitë e tyre, kam qarë me ata që kanë pasur nevojë të qaj me ta, dhe kam qëndruar e fortë për ata që kanë pasur nevojë të jem e fortë. Kam dëgjuar histori për një femër nga regjioni i Drenicës e cila ishte dhunuar nga shumë persona të paramilitarëve serb për 6 muaj të tërë.

Kam folur me një grua në Gjakovë trupi i të cilës ishte gjymtuar gjatë kohës që ajo ishte dhunuar. Së fundmi kam takuar një fëmijë të një të dhunuare nga lufta, e cila ka vdekur pa pranuar drejtësinë që ka shpresuar për shumë e shumë vite. Vërtet shpresoj që ta lexoni këtë libër, ndajeni me shokët dhe familjen, kërkoni nga qeveria juaj të dënojë keqbërësit, dhe thërritni për pajtim me fqinjët tuaj.

Nuk duhet të lejojmë askënd të na mbajë peng të së kaluarës. Viktimat e këtyre krimeve nuk do të mund të gjejnë paqe përveç nëse kriminelët që i kanë bërë ato sillen para drejtësisë. Ky është një parakusht për një paqe të gjatë, marrëdhënia të mira fqinjësore dhe të ardhme të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme.

E ardhmja e vendeve tona qëndron në duar tona, le të jetë një e ardhme e pajtimit dhe paqes”“.