Menjëherë pas takimit me eurokomisarin Johanes Han, prokurorja speciale publike, Katica Janeva para medieve shkurtimisht informoi se me të ka diskutuar për sfidat me të cilat po përballet PSP-ja në punën e saj.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse temë e bisedimeve midis Han dhe Janeva kanë qenë edhe formimi i gjykatës speciale, si dhe mundësia e ndërprerjes së PSP-së, Janeva theksoi se ato tema nuk kanë qenë të hapura.

Në raport me ndryshimet të cilat ajo po i kërkon për vazhdimin e afatit të prokurorisë dhe ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, Janeva ka shprehur shpresën se para se të shpërbëhet Parlamenti, deputetët do t`i votojnë këto ligje.

Për momentin në selinë e delegacionit të BE-së në takim me Han është lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ndërsa pas tij vijon edhe takimi i eurokomisarit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.